Bota Përplasje në SHBA/ Trump zemërohet me dr. Faucin: Koha për ta shkarkuar

Përplasje në SHBA/ Trump zemërohet me dr. Faucin: Koha për ta shkarkuar

Presidenti amerikan Donald Trump shpërndau në Twitter një thirrje për shkarkimin e Dr. Anthony Faucit, pasi eksperti më i lartë i vendit për sëmundjet infektive tha se mund të ishin shpëtuar më shumë jetë, nëse vendi do të ishte mbyllur më shpejt gjatë shpërthimit të koronavirusit.

Presidenti Trump shpërndau të dielën në Twitter mesazhin e shkruar nga një ish-kandidat republikan për në Kongres, i cili citonte komentet e zotit Fauci gjatë një interviste televizive të dielën. Mesazhi në Twitter titullohej “koha për të #ShkarkuarFaucin”.

Presidenti republikan në të kaluarën ka shpërndarë mesazhe kritikuese (të të tjerëve) për zyrtarët ose kundërshtarët e tij, duke mos preferuar t’i bëjë vetë kritikat. Shpërndarja e këtij mesazhi në Twitter nxiti spekulimet se Presidentit Trump po i mbaron durimi me shkencëtarin e mirënjohur dhe se mund ta shkarkojë atë.

Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi të hënën këtë veprim në Twitter të Presidentit Trump.

Dr. Fauci ka marrë rëndësi kombëtare dhe një nivel pëlqimi, si një udhëheqës në luftën kundër koronavirusit. Ai ka kundërshtuar ose korrigjuar Presidentin Trump për çështje shkencore gjatë krizës së shëndetit publik, siç ishte p.sh. gjatë diskutimit nëse ilaçi anti-malaria hidroksilklorina është efektiv apo jo kundër koronavirusit.

Dr. Fauci u pyet në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN në lidhje me një raport të gazetës New York Times që dokumentonte paralajmërimet e hershme të dërguara Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin. Shkencëtari pranoi se mbyllja e vendit më shpejt mund të kishte shpëtuar jetë, por paralajmëroi se ishin të përfshirë një numër faktorësh.

“Natyrisht, do të ishte mirë nëse do të kishim patur një fillim më të mirë, por unë nuk mendoj se mund të thoni se jemi këtu ku jemi tani për shkak të një faktori,” tha Fauci. “Është shumë e ndërlikuar”.

I shndërruar tashmë në një objektiv të ekstremit të djathtë për kundërshtitë e tij ndaj Presidentit Trump, dr. Fauci tërhoqi kritika të mëtejshme pas intervistës.

Materialin e gazetës e denoncoi gjithashtu Presidenti Trump të dielën në Twitter, duke e cilësuar atë “Fake” (“Fals”).

Javën e kaluar gjatë konferencës së përditshme për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump ndërhyri dhe e pengoi dr. Faucin t’i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me hidroksiklorurinën.

Dr. Fauci, 79 vjeç, ka udhëhequr agjencinë federale të sëmundjeve infektive që nga viti 1984 nën udhëheqjen e presidentëve republikanë dhe demokratë. Republikani George W. Bush e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2008.

Disa sondazhe gjatë krizës së shëndetit publik kanë treguar se amerikanët i besojnë atij më shumë sesa Presidentit Trump. /Reuters