Opinione Përse 18 maji nuk është pazar

Përse 18 maji nuk është pazar

E bujshme, e mrekullueshme, e pabesueshme por e vërtetë: në 18 maj Rama e Basha arritën një marrëveshje që futi PD-në në zgjedhje në këmbim të pasjes dorë në nivele të larta në emërime postesh publike e një angazhimi dypalësh për dialog të vazhdueshëm mbi ecjen e rrugës drejt BE-së, reformës zgjedhore e ndryshimesh kushtetuese përgjatë legjislaturës 2017-2021.

Por marrëveshja “last minute” nuk ndal vrerin kundër saj të shumë protagonistëve publikë shqiptarë, të cilët për thjeshtësim mund të përcaktohen “antisistemët”.

Dy kategori dallojnë qartazi brenda tyre: protagonistë politikë partish të vogla shqiptare e të paoksidueshmit analistë me laps e gojë shumë të mprehtë ndaj çdo shfaqjeje normaliteti në shoqërinë shqiptare. Për të parët 18 maji është komploti i zakonshëm i të mëdhenjve kundër partive të vogla, një komplot finalizuar me gëlltitjen në barkun e vetëm dy partive (PS e PD) të çdo cope tortë të pronës e parasë publike në Shqipëri. LSI është e përjashtuara e madhe e marrëveshjes, padyshim ndjen vrer ndaj paktit por nuk mund të përcaktohet si parti antisistem sepse qendron në pushtet prej 8 vjetësh e elektoralisht nuk ka numra të vegjël. Më i ngjyrosuri në demaskimin e marrëveshjes mbetet shkrimtari Blushi, më inteligjenti Gjergji Bojaxhi, mbartës i një koherence për t’u admiruar në tentativën për t’i lënë shqiptarëve të kuptojnë se ata duhet të jenë qytetarë. Më qesharakët në denoncimin e “paktit okult” (“copyright” Andi Bushati) janë një grup analistësh të vetëbindur se çdo ngjarje që ka të bëjë me publiken e me partitë në vendin tonë është diçka e fshehtë, misterioze, komplotiste, antikombëtare e antipopullore. Të dyja degët e antisistemëve nuk bëjnë dot një pemë sepse pohimet e tyre janë të pavërteta e nuk kanë rrënjë në realitet.

Një mënyrë alternative për të lexuar marrëveshjen e 18 majit është kjo: çfarë do të kishte ndodhur nëse pakti s’do të merrte jetë e PD s’do të hynte në zgjedhje? Historia me nëse mbetet padyshim fall por nga pamja e letrave mbi tavolinën e politikës mund të nxirren disa përfundime. Në bazë të raporteve mediatike, SHBA do t’i bashkangjiteshin deklaratës Hahn dhe do të shpallnin se do t’i njihnin zgjedhjet pa PD-në në to. Demokracia shqiptare do të goditej nga mospjesëmarrja e PD-së sepse kjo parti e madhe shqiptare ka qindramijëra votues potencialë e ata mund të bojkotonin votimet. PD mund të përfshihej në luftëra të ashpra civile brenda vetes e, mbi të gjitha, mund të shfrynte dufin informal me tentativa për dhunë. Edhe pa akte dhune, klima ekonomike e vendit mund të përkeqësohej, bizneset të humbisnin besimin tek stabiliteti politik e rënia ekonomike të pasonte. Mjafton ky lexim i thjeshtë i lidhjes së rritjes ekonomike me stabilitetin politik të një vendi për të ç’këshilluar çdo mundësi vazhdimi të mosmarrëveshjes.

Reforma në drejtësi mund të vazhdonte me komisionet e vetingut të ngritura në legjislaturën e re e kjo mund të çelte dritën jeshile të hapjes së negociatave me BE-në. Jetëgjatësia e legjislaturës së re, megjithatë, mund të shkurtohej pikërisht prej hipershumicës së majtë që do të kihej në Parlament, një hipershumicë e droguar nga bojkoti i PD-së. Rama, pikturuar nga analistët si një Putin e Erdogan në pelena, mund të ngrihej nga djepi e të vishte këpucët e diktatorit për të personalizuar krejt skenën politike e të shkelte nën taka çdo kundërshtim… Bojkoti i PD-së nuk do t’i shërbente në asnjë rast stabilitetit të Shqipërisë. Kostot e mos-marrëveshjes, në çdo situatë politike të brishtë të një vendi me demokraci hibride në një rajon ende të paintegruar tërësisht me Perëndimin, janë gjithnjë më të mëdha sesa benefitet e marrë-veshjes.

Marrëveshja e 18 majit nuk është një copë letër e fshehur në pantallonat e dy protagonistëve por është bërë publike në sinkron nga dy partitë kryesore. Padyshim mund të diskutohen pikat e saj, të dyshohet nëse një Ledina Mandia është zv/kryeministre më e zonja se Peleshi apo një Demiraj më rendmbajtës sesa Xhafaj por vizatimi si një “pakt okult” apo marrëveshje dy bandash për të eliminuar nga shitja e mallit (vota e shqiptarëve është mall shkëmbimi?!) bandën e tretë është bir i një arsyetimi të denjë për baret e Karakasit, jo për një vend evropian që ka vuajtur përherë nga mungesa e dialogut të sinqertë mes faktorëve politikë. Mund të diskutohet pse “Republika e re” nuk ka ngulmuar të vendosë në pakt një klauzolë në favor të së drejtës për votim të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, pse nuk jepen orientime se ç’reformë zgjedhore do të bashkërendohet mes partive të mëdha, cilat mund të jenë ndryshimet e nevojshme kushtetuese të evokuara në pakt, a do të ridiskutohen mes PS-së e PD-së ligje të rëndësishme si ai i arsimit të lartë.

Pakti, veçse, lë hapur shtegun e institucionalizmit të dialogut mes kryetarit të mazhorancës e kryetarit të opozitës – diçka anglosaksone në një kryeqytet ballkanik. Një vend ku kryetarët e partive kacafyten nuk siguron stabilitet për punë e dinjitet. Kryetarët e partive tona nuk janë kacafytur me bojë të kuqe: në Shqipëri politika jobashkëpunuese ka çuar në tragjedi me viktima të vërteta, me gjendje anarkie e shtetrrethime. Në një vend normal dialogu e marrëveshja janë norma.

Politika nuk është pazar por arti i qeverisjes së gjësë publike në mënyrë që të evitohet dhuna në shoqëri dhe jeta në bashkësi të kryhet nën një rend formal ligjesh e institucionesh publike vendimmarrëse të zgjedhura me votë të lirë e të pamohueshme për askënd. Një marrëveshje e bërë publike që fut opozitën në zgjedhje nuk përbën pazar: është zgjedhje politike e vullnetshme kryer nga dy kryetarë legjitimë të forcave të tyre politike.

Mund të diskutohet – me plot të drejtë – demokraticiteti i zgjedhjeve brenda partive por jo legjitimiteti moral i një marrëveshjeje mes tyre, për më tepër pasi aktet e dakordësuara (emërimi i ministrave teknikë, plotësimi i komisioneve parlamentare të vetingut) ka ndodhur në organin legjislativ të Shqipërisë, jo në kafene. Në katin e parë të ndërtesës sociale Shqipëri banojnë qytetarët shqiptarë e çdo marrëveshje që siguron stabilitet politik për sistemin mbetet e mirëpritur. Banorët e katit të parë marrëveshja i shpëton nga përmbytja e sigurt prej mosmarrëveshjes.