Kryesore Përse bandat përplasen për tokat? Artan Lame shpjegon arsyet

Përse bandat përplasen për tokat? Artan Lame shpjegon arsyet

Përplasjet kriminale mes bandave për të zaptuar pronat në Shqipëri janë një problem shqetësues që kanë marrë vëmendje kohët e fundit. Drejtori i Kadastrës, Artan Lame, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan shpjegoi se kanë ndodhur dy fenomene në kohë të ndryshme.

“Deri pak kohë përpara bëhej kjo gjë: Kur përplaseshin, shkonin te Hipoteka përkatëse dhe atje paraqiteshin. Hipoteka nuk përdorte sistem elektronik. E dyta, shikonte kush ishte më i forti ose kush paguante më shumë dhe regjistronte atë. Ai që mbetej, ose do shtyhej më poshtë ose do shtynte ndonjë tjetër dhe ai do sistemohej. Mbetej tjetri dhe do shtyhej dhe ky.

Sot ç’a ka ndodhur? Kanë ndodhur dy gjëra. E para, që mbaroi Shqipëria. E ndanë të gjithën. E dyta, ne po vendosim kontrollin mbi aparatin e brendshëm të institucionit. Në atë palo sistem që kishte Kadastra, kishte 1750 përdorues. Ishte lënë me qëllim që kushdo të hynte. Në momentin që ne e kemi ulur në 850 ata që kanë akses në sistem, nuk kanë mundësi ta shtyjnë më poshtë”, shprehet Artan Lame.

“Deputetë, ministra, prokurorë e gjykatës kanë prona në Sarandë”

Në Sarandë qytetarët refuzonin të bënin legalizimin e banesave dhe pallateve. Dhe arsyeja është sepse një pjesë e konsiderueshme e politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve rezultojnë pronarë dhe nuk duan të figurojnë si të tillë.

Ky fakt është pranuar nga drejtori i Kadastrës, Artan Lame, i cili në studion e “Opinion” në Tv Klan deklaroi se Saranda ishte i vetmi qytet ku procesi i legalizimeve ecte me ritme të ngadalta pikërisht për këtë arsye.

“Saranda ishte qyteti i vetëm që nuk na ecte legalizimi i pallateve. Kur unë pyes çfarë ka, më thonë që vetë ata që i kanë apartamentet nuk duan të bëjnë legalizimin, sepse kjo do bënte regjistrimin në Hipotekë dhe janë të deputetëve, të ministrave, ish-ministrave, ish-prokurorë, gjykatës, këtij lloji njerëzish. Është i vetmi qytet që nuk donin të legalizonin pallatet. Sepse do duhej të vinin një emër mbi të. Kështu që aty duket se sa është e përzier politika”, u shpreh Artan Lame.