Askush tjetër në Silicon Valley nuk ka fuqi të tillë absolute mbi një gjigand teknologjik. Mark Zuckerberg është bashkëthemeluesi, shefi ekzekutiv, kryetari i bordit dhe aksionari i shumicës së Facebook-ut, rrjetit social më popullor në botë. Për vite me radhë, këtë nuk e shihnin si një problem, deri në momentin kur gjërat filluan të shkojnë për keq.
“E di që nuk kemi pikërisht reputacionin më të fortë për privatësinë tani, për ta bërë më të lehtë këtë pjesë”, tha Zuckerberg këtë javë në konferencën vjetore të zhvilluesve të firmës në San Jose. Ndonëse ai ishte i buzëqeshur, fatkeqësisht publiku nuk është i lumtur, pasi privatësia është kthyer në një problem për miliona përdorues.
Dyshimet nëse Zuckerberg është i aftë të mbajë në mënyrë efektive të gjitha pozitat që ka nën emrin e tij, vazhdimisht po rriten. Ndërsa Shtetet e Bashkuara do të kenë ciklin e ardhshëm të zgjedhjeve, shumë politikanë po bëjnë thirrje që të zbehet fuqia e Zuckerberg.
Pas dyerve të mbyllura, Facebook dhe Komisioni Federal i Tregtisë (FCT) kanë nisur negociatat.
FTC kuptohet se po planifikon një gjobë rekord, ndërsa Facebook u tha investitorëve javën e kaluar, se ka lënë mënjanë të paktën 3 miliardë dollarë për ta paguar atë. Pyetja është: Çfarë tjetër mund të kërkohet nga rregullatori? “Unë mendoj se Facebook vazhdimisht ka shkelur në mënyrë agresive privatësinë e konsumatorit”, tha për BBC, Ashkan Soltani, ish-teknicien kryesor në FTC.
Facebook ka thënë se Mark Zuckerberg nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ndonjë prej roleve të tij.
Sipas raporteve në “Uashington Post” dhe “Politico”, detajet kyçe për të kërkuar në gjykimin e FTC do të jenë rreth mbikëqyrjes së privatësisë. “Politico” raportoi të mërkurën se FTC po shqyrton një vendim që do të kërkonte që Facebook të emërojë një zyrtar të privatësisë të miratuar nga qeveria në kompani dhe të ngrejë drejtuesit e “privatësisë” në nivelet më të larta. Raporti gjithashtu tha se Zuckerberg duhet të caktohet në mënyrë specifike si individi përgjegjës për zbatimin e këtyre ndryshimeve; një masë e projektuar për ta bërë atë përgjegjës për çdo dështim tjetër në ardhmen.
Rebelimi i investitorëve
Një grup investitorësh po bën thirrje që z. Zuckerberg të zëvendësohet me një kryetar të pavarur, duke përmendur problemet e fundit të kompanisë si motivim të mjaftueshëm për këtë veprim. Vota nuk ka asnjë shans të kalojë, pasi Zuckerberg personalisht kontrollon shumicën e aksioneve – por ata që e mbështesin idenë thonë se kjo kërkesë shërben për të zgjidhur “hallin” e tyre kryesor. “Votimi është duke u parë si një mundësi që Zuckerberg të rimendojë për rolet e tij”, tha Jonas Kron nga Trillium Asset Management,
“Unë mendoj se ai duhet të mendojë seriozisht për rolin e tij”, tha Kron për BBC.
Facebook nuk pranoi të ofrojë komente në lidhje me këtë pjesë. Ndërsa në një reagim zyrtar u tha: “Ne besojmë se struktura jonë aktuale e bordit është në interesin më të mirë të aksionerëve tanë, prandaj bordi ynë i drejtorëve rekomandon që aksionarët tanë të votojnë kundër këtij propozimi”.