Nga Ola Goroveci
“Votimet, 25 prilli, më voto mua, unë jam e ardhmja, bashkë do e ndryshojmë Shqipërinë”, këto janë fjalitë që dëgjon e lexon çdo ditë. Ka më shumë lëvizje se kurrë, politikanë që dalin në TV e kërkojnë votën me ngulm duke premtuar, ashtu si gjithmonë. Por, sa qytetarë e marrin mundimin t’i lexojnë këto premtime, këto programe elektorale? Vërtet mendojnë se çdo gjë do të plotësohet e se në momentin që një X parti merr pushtetin, gjërat do të ndryshojnë sepse kështu u tha dhe u premtua publikisht?
Shqiptari mban mbi shpatulla vite të tëra premtimesh boshe, e akoma jeton në skamje, duke pritur se ndryshimin magjik. Si mund të presësh ndryshimin kur shqiptari voton për partitë si të ishin skuadra futbolli? Sepse skuadra e zemrës nuk ndërrohet, e fatkeqësisht, partitë politike në Shqipëri kanë marrë rolin e skuadrave! Deputetë që dalin nga hiçi, e papritur pasurohen brenda natës, sepse populli akoma pret ndryshimin në errësirë. është i bindur se partitë do t’i sjellin zhvillimin, do t’i hapin një derë plot mundësi për të ardhmen e fëmijëve.
Problemi në Shqipëri, është se njerëzit, nga simpatizantë, kthehen në militantë. Shumica dërrmuese e popullsisë kanë siguruar një vend pune e kështu, janë të detyruar të votojnë “shefin” e tyre. Kjo gjë ndodh rëndom sidomos me studentë. Janë njerëzit më të lehtë për t’u etiketuar nga një parti. Mjafton t’u thuash se ëndrrat e tyre do të plotësohen në të ardhmen, e kaq mjafton që ata të shndërrohen në zërin e partisë, si të ishte familja e tyre. Por harrojnë se duhet të punosh e luftosh fort për t’i realizuar këto ëndrra. Asgjë nuk plotësohet duke ndenjur me orë të tëra në kafenenë e lagjes. Mbaj mend në universitet, disa shokë apo shoqe angazhoheshin në parti të ndryshme në kërkim të një vendi pune. Në ditët e sotme, janë shndërruar në militantë, e kur u thua “E mban mend se si shkoje në mitingje të PD-së ose PS-së e sot punon për PS-në ose PD-në?” Menjëherë përgjigjen, “Jo, asnjëherë, e ke gabim”. Sigurisht, ne që nuk jemi militantë gjithmonë gabojmë!
Personalisht, nuk jetoj në Shqipëri. Arsyeja e largimit nuk ishte puna apo kushtet, sepse kam qenë dhe jam njeri i vendosur. Nuk studiova gazetari, ama e dija që doja të bëhesha gazetare, dhe ja arrita, pa ndihmën e ndonjë partie! Por mendoj për ata shqiptarë që kanë emigruar për shkak të kushteve. Përse duhet një shqiptar të jetojë në vend të huaj, shumicën e rasteve edhe pa dokumenta? Janë prindërit e këtyre emigrantëve që ankohen se kanë mbetur vetëm, por e kanë pyetur ndonjëherë se cili është fajtor për këtë gjë? Faktorët dhe fajtorët janë të shumtë, por fakti kryesor janë militantët.
Më e keqja e këtyre militantëve është se ankohen për gjendjen aktuale të Shqipërisë. I dëgjoj të thonë “Në Shqipëri nuk jetohet, e ardhmja nuk është e sigurt!” Si mund të kesh një të ardhme të sigurt kur ti shet votën? Kur njerëzit proteston për të drejtat e tua dhe qeveria të nxjerr policinë e të keqtrajton? Vërtet mendoni se qeveria është më e fortë se ju? Fatmirësisht, interneti ekziston dhe pak a shumë çdo familje ka akses. Kërkoni e lexoni se si populli rumun apo ai hungar i lufton politikanët që vjedhin apo ata që nuk mbajnë premtimet. Vërtet mendoni se nëse një parti fiton një mandat, duhet të qëndrojë katër vjet në pushtet e më pas të votoni ndryshimin? Jetëgjatësia e një partie varet nga ju. Në momentin që populli bashkohet, partia nuk e ka të gjatë në parlament. Mund të kërkoni zgjedhje të parakohshme, sepse ju si popull jeni fuqia dhe vendosni, jo partia!
Në Shqipëri nuk jetohet prej jush, prej militantëve, se partia pa ju s’do të ishte asgjë. Reagoni e votoni për të ardhmen, e mos thoni “Nuk votojmë se nuk ja vlen”.