Nuk e njihte përshëndetjen naziste. Nuk e dinte se 80 vjet më parë, një kapter austriak me mustaqe ishte bërë diktatori i Gjermanisë dhe që i dhuronte botës Luftën e Dytë Botërore. Ndoshta edhe për emrin e Benito Musolinit dhe për fashizmin nuk ka dëgjuar asgjë. Për këtë arsye, për injorancën e tij, uellsiani Uejn Henesei, portieri 32-vjeçar i Kristal Palasit, nuk është dënuar nga Federata Angleze e Futbollit.
Henesei nuk është skualifikuar për gjestin me përshëndetjen me krahun e shtrirë, të postuar në Instagram më 5 janar, pas një darke festive për suksesin në Kupën e Anglisë ndaj Grimsbit, një klubi të ligës së dytë. Autori i fotos është shoku i skuadrës, gjermani Maks Mejer, të cilit mund t’i kishte marrë të paktën një mendim për atë lloj përshëndetjeje.
Federata Angleze e Futbollit kishte hapur një hetim dhe paneli gjykues, i përbërë nga tre persona, vendosi të mos e dënonte portierin Henesei, duke e konsideruar një veprim për shkak të injorancës. Henesei u mbrojt para komisionit me faktin se nuk e dinte që gjesti i tij ishte një fotokopje e përshëndetjes naziste. Ai ka treguar foto të tjera për të mbrojtur tezën e tij, ku duket i njëjti gjest me krahun e djathtë. Me pafajësinë e tij, portieri uellsian u shpreh se në dijeninë e tij, pozicioni i krahut në atë mënyrë, do të thotë tërheqje e vëmendjes së kamerierit.
“Në fakt, Henesei shfaqi një shkallë të konsiderueshme injorance dhe nuk dinte asgjë që ka të bëjë me Hitlerin, fashizmin dhe regjimin nazist. Nuk është ky rasti për të dhënë dënim. Gjithçka që mund të themi, edhe pse mund të duket komike, është se zoti Henesei duhet të marrë njohuri për historinë, sidomos për çështje që kanë rëndësi të veçantë për ata që jetojnë në një vend të lirë”. Ky ishte konkluzioni i panelit gjykues. Asnjë dënim, asgjë gjobë, por vetëm një ftesë për të studiuar historinë për portierin e Kristal Palasit. Duke parë personazhin, ky mund të jetë dënimi i vërtetë.