Përshkallëzohen tensionet etnike në Malin e Zi, pasi Kisha Ortodokse Serbe këmbëngul që kryepeshkopi i saj i ri në Malin e Zi, të kurorëzohet në Cetinje në kryeqytetin e vjetër mbretëror.
Janë të shumtë malazezët që e kundërshtojnë këtë ceremoni, çka ka sjellë edhe përplasje me policinë. Ata thonë se mbajtja e ceremonisë në Cetinje është një fyerje për “luftën shekullore të Malit të Zi për sovranitet.
Organizata të ndryshme kanë bërë thirrje që kjo ceremoni të mbahet diku tjetër, por Kisha Ortodokse serbe pretendon se të gjithë mitropolitet e saj në historinë e Malit te Zi janë kurorëzuar në Manastirin e Cetinjes. Klerikët ortodoksë serbë, janë deklaruar kundër politizimit të ceremonive tradicionale të kishës se tyre.
Protestuesit kanë që nga dita e djeshme që qëndrojnë në ambientet rreth manastirit ku nuk kanë munguar edhe konfrontimet me policinë. Protestuesit kanë larguar disa nga gardhet metalike mbrojtëse rreth Manastirit të Cetinjes dhe janë përplasur me policinë, ku ka patur edhe dhunë mes tyre.
Në Manastirin e Cetinjes është planifikuar ceremonia e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije. Paraardhësi i Joanikije, Amfilohije, vdiq në Tetor pasi u infektua me koronavirus.
Vetë presidenti Milo Djukanovic, që mbështeti protestën e djeshme, akuzon hapur Kishën për një qasje proserbe që ven në rrezik pavarësinë malazeze.