Uncategorized Përtej Portës së Dalipajve në Palorto!

Përtej Portës së Dalipajve në Palorto!

 

Një portë e rrallë gjirokastrite, kryevepër e arkitekturës tradicionale, me status “monument kulture”, në pritje për restaurim

Nga Engjëll Serjani

Porta hyrëse në kompleksin e banesave të familjes te njohur gjirokastrite Dalipi në lagjen “Palorto” të qytetit muze të Gjirokastrës, pa asnjë dyshim një kryevepër e artizanatit, arkitekturës dhe ndërtimit tradicional gjirokastrit, pret ndërhyrjen për rikostruksion si një vlerë e rëndësishme e qytetit të gurtë.

Porta daton rreth mesit te viteve 1700. Ky objekt monumental prej shume kohesh si shumë objekte të tjera presin vëmendjen e ekspertëve për të mos u rrënuar dita ditës. Me elementë unikal arkitekturorë dhe artistikë, ky objekt i rrallë që përditë tret vlerat është i shpallur “monument kulture” nga struktura të ruajtjes dhe restaurimit të monumenteve të kulturës. Por, çfarë e bën monumentale, historike dhe unikale këtë portë gjirokastrite? Dy janë elementët impresionues që spikatin më qartë; së pari, arti dhe arkitektura krejt e veçantë dhe së dyti, historia e kronikës te fisit te Dalipajve, (siç i thonë në shumës mbiemrave të njohur gjirokastritët) një prej familjeve më të shquara ne lagjen e  “Palortosë” të Gjirokastrës.

Kompleksi i banesave të Dalipajve gjendet në të majtë të kompleksit monumental të banesës së Angonatëve që është cilësuar “ikonë” e vlerave të qytetit muze dhe në të djathtë të gjimnazit “Asim Zeneli”. Nga ky objekt në pamje dhe strukturë origjinale ndërtimore, fatkeqësisht kanë mbetur pak elementë, por ajo që ekziston gati në pamjen origjinale është porta në formë kubeje që dallohet lehtësisht nga sokaku që kalon para kompleksit monumental të Angonatëve drejt Këcullës. Ndër vlerat kulturore, artistike dhe tradicionale që e bëjnë unikale këtë portë ekspertët të monumenteve, si prof. dr. Emin Riza, veçojnë vjetërsinë e këtij objekti që llogaritet mbi 300 vjet dhe fakti që në pamjen e përgjithshme ka formën e kubesë me qemer guri, ekzistenca e dy sofave në të dy anët e saj, muret anësore, frëngjitë nga ku vëzhgohej dhe ruhej krejt kompleksi i rrethuar me mure i banesave, mbishkrimi mbi “çelësin” e qemerit të portës në osmanishten e vjetër, afreskun në të dy anët e kubesë, kalldrëmi i vjetër i shtruar midis sofateve dhe ndërtimi sipër portës që fatkeqësisht është zëvendësuar me mur tulle. Ne porten e Dalipajve persa i perket lartesise dhe formes banoret mund te hynin dhe hipur mbi kuaj.

Historia “fshehur” pas portës.

Por nuk janë vetëm elementët arkitekturorë dhe artistikë, por e veçantë është edhe historia e njerëzve të familjes Dalipajve te Gjirokastres, e njohur  si një ndër familjet me kontribut në historinë e qytetit dhe të vendit. Kronika familjare e Dalipajve përfshine emra të nderuar dhe respektuar si Selfo, Sami, Dalip, Asllan, Haxhi, Muho, etj., personalitete të respektuar në Gjirokastër të këtij fisi, që mendohet se është vendosur në Gjirokastër pesë breza më parë, duke ardhur nga zonat e njohura te Kurveleshit. Emrat e të parëve të fisit janë përsëritur nga brezi i mëparshëm në brezin pasardhës. Një nga pasardhësit e fisit që ende jeton këtu, që ende hyn e del edhe sot nën këtë portë madhështore është 80-vjeçari Asllan Dalipi “i dytë”. Themi “i dytë”, sepse ai mban emrin e gjyshit të tij. Asllani është personi që zbulon disa nga emrat e personaliteteve të Dalipajve që kanë dalë nga kjo portë e madhe.

“Kjo është një portë e vjetër, me histori dhe kryelartë, sepse prej saj kanë dalë emra me kontribut në historinë dhe artin kombëtar shqiptar, sikundër është Haxhi Dalipi ‘i dytë’, muzikologu që bëri emër me talentin e tij nga Vlora ne Tirane dhe i njohur me muziken e tij dhe pertej kufijve te vendit. Ai mbante emrin e gjyshit të tij Haxhiut ‘të parë’, që në kohën e tij ishte një luftëtar i njohur kundër pushtuesve osmanë”, thotë Asllani.

Ish-kompozitori dhe etnomuzikologu i njohur, Haxhi Dalipi, i cili ka titullin “Mjeshter i Madh” nga Presidenti i Republikës si dhe “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe Vlorës ishte një nga korifenjtë e muzikës shqiptare i cili e nisi rrugën e artit si nje nga nxenesit me te spikatur te Profesor Ramadan Sokolit ne Liceun Artistik “Jordan Misja” ne Tirane. Ne Enciklopedine  e kompozitoreve me te spikatur te ballkanit shkruhet se për vite me radhë ai drejtoi ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend, krijoi në vitin 1988 orkestrën simfonike dhe filarmoninë e Vlorës, ku punoi si dirigjent kori dhe orkestre simfonike ne Tirane e Vlorë, si dhe me vone pedagog në Akademinë e Arteve dhe dhe deri pak para se të ndahej nga jeta ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke i kthyer shkëlqimin e dikurshëm trupës kombëtare. Haxhi Dalipi ka dhënë kontributin në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë të rifreskuara për publikun. Prof. Vaso Tole shkruan se nga duart e H.Dalipit kënga polifonike “Janinës çi panë sytë” u bë një këngë kombëtare dhe më tej. Ndërsa një tjetër personalitet i artit Fehmi Shaqiri dhe studiuesi i njohur deri në SHBA Prof.Spiro Shetuni shkruajnë se “Studimet teorike te Haxhi Dalipit mbi etnomuzikologjinë e ngjisin atë në majat e studimit shkencor për muzikologjinë shqiptare”. Ai ka shkruar romanca, balada, rapsodi dhe muzikë të re instrumentale si pjesëmarrës në konkurse ndërkombëtare.

Prapa kanateve të Portës së Dalipajve qëndron historia e Sami Dalipit, një personaliteti të respektuar për ndjenjat e mprehta demokratike dhe arsimore që në rininë e tij të hershme. Me titullin e larte “Mësues i Popullit” ai është një prej iniciatorëve kryesorë për hapjen e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër. Në vitin 1919, ai shkruan disa artikuj në gazetën “Mësuesi” dhe disa vite më vonë edhe në gazetën “Demokratia” për organizimin e shkollës shqipe, shkrime në të cilat ndihej analiza e thellë logjike dhe kultura e gjerë për trajtimin me kompetencë të problemeve të mprehta të kohës. Në vitet ‘20–‘21, ai së bashku me Avni Rustemin është nga intelektualët më aktivë për krijimin e Lidhjes së Mësuesve të Gjirokastrës dhe Libohovës, “për t’i dalë zot interesave të shkollës shqipe dhe mësuesve ”. Si arsimtar, Sami Dalipi u shfaq po aq i vrullshëm, pasionant dhe aktiv sa edhe në jetën shoqërore dhe politike të kohës. Gjendja arsimore në Qarkun e Gjirokastrës në vitet 1920-‘24 shtroi nevojën e një lëvizje të gjerë arsimore me karakter demokratik. Kjo periudhë karakterizohet në të gjithë vendin nga një lëvizje laiciste drejtuar kundër shkollave të huaja dhe atyre klerikale që sponsorizoheshin kundër arsimit shqip. Sami Dalipi, dalë prej shkollës së Labovës së Zhapës u përqendrua veçanërisht në reformimin e metodës së mësimdhënies dhe edukimit shkollor. Fillimisht ai u shpreh kundër ndëshkimit fizik në shkolla, atavizëm e shkollës turke, gjë që bëri përshtypje të thellë tek prindërit dhe nxënësit të cilët e vinin re kulturën dhe aftësinë edukative të këtij mësuesi. Në kronikat e shtypit lokal të kësaj periudhe, emri i tij përmendet si atdhetar dhe mësonjës i pasionuar.

Kronika e Dalipajve përfshin edhe një personalitet tjetër, të padiskutueshëm në përmasat e tij kombëtare dhe ndërkombëtare si Skulptori i Popullit, Mumtaz Dhrami, laureat i çmimit të nderit në Bienalen e Aleksandrisë (1964) dhe laureat i shumë titujve dhe çmimeve dhënë nga shteti shqiptar. Ai është autor i disa skulpturave monumentale si: bustit të Shkurte Pal Vatës në Lushnjë, bustit të Liri Gegos në Galerinë e Arteve Tiranë, portretit të Rugovasit në Galerinë e Arteve Tiranë, bustit të Jani Vretos në Leskovik (1996), portretit të Nënë Terezës, monumentit të Ali Pashë Tepelenës,  Lasgush Poradecit dhe  Mitrush Kutelit. Artisti i madh i daltës Mumtaz Dhrami, nipi i Selfo Dalipit që rrojti 104 vjeç, është njëkohësit bashkautor i monumentit të Kristoforidhit në Elbasan, Monumentit të Pavarësisë në Vlorë, monumentit “Nënës Shqipëri” në Tiranë, reliefit monumental në ndërtesën e Kryeministrisë Tiranë, autor i monumentit të Drashovicës, monumentit të Pezës, Obeliskut të Arsimit në Gjirokastër, etj.

Kronika historike e kësaj familjeje vijon më tej me një tjetër pasardhës, te birin e muzikologut H.Dalipi, politikanin aktual,i ekuilibruar dhe aktiv Aldrin Dalipi, ish Zedhenes i Qeverise Shqiptare ne 2002-2005 dhe njekohesisht Keshilltar i Kryeministrit ne ato vite, ish- kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës per 6 vite prej 2013 dhe dhe me pas Kryetar i Qarkut Tirane. Duke parë dhe vlerësuar autenticitetin ndërtimor, pamjen unikale dhe historinë që fshihet pas kanatave dhe kupesë së Portës së Dalipajve, ia vlen që këtij objekti të rrallë ti jepet status i vecante dhe të investohet me shume kujdes për restaurimin dhe kthimin e në identitet duke i rikthyer dhe shtuar nje xhevair Gjirokastres. Nuk është vetëm kjo portë që po sheh dite te veshtira, Porta e Netit në Saraqinishtë, Porta e Kurtajve dhe Porta e Bejove në Cfakë, Porta e Tatait në Dunavat, Portat e Libohovës dhe shumë porta të tjera po shkojnë drejt rrënimit, ndërkohë që për ruajtjen, mirëmbajtjen e tyre nuk duhen shumë fonde dhe investime. Këto porta kanë të skalitura në gurët e harkateve dhjetëra simbole pagane, simbole të kulteve fetare, afreske dhe mesazhe në osmanishten e vjetër. Mjafton një mirëmbajtës restaurues që të zëvendësojë disa trarë të kalbur dhe të zëvendësojë pllakat e çatitë të këtyre portave që ato të ruhen si dëshmi unikale. Por gjithsesi, që të mirëmbahen, më parë ato duhen shpallur “monument kulture” si një vlerë e shtuar për Gjirokastrën!