Të gjithë në Itali, por jo vetëm u tronditën këtë të martë me shifrat e reja të viktimave nga koronavirusi, plot 743 të vdekur në 24 orë.
Natyrisht një tjetër rekord negativ që e rëndon së tepërmi gjendjen në shtetin fqinjë me 6820 viktima në total.
Mirëpo përpos këtij lajmi të errët, në buletinin ditor të emergjencave civile në Itali pati një të dhënë shumë pozitiv që e nënvizoi edhe kreu i emergjencave, Angelo Borrelli.
Teksa lexonte të dhënat e reja mbi gjendjen në vend nga COVID-19, Borrelli u kujdes të evidentonte rënien e numrit të pacientëve të rinj për ditën e tretë me radhë.
Të dielën kishte mbi 4800 të infektuar brenda 24 orëve, të hënën shifra ishte 3780, ndërsa këtë të martë pati sërish ulje.
Numri i pacienteve të rinj në 24 orët e fundit në Itali llogaritet të jetë 3612. Një trend ulës që mbush me shpresë dhe optimizëm autoritetet italiane.
Gati gjysma e rasteve të reja, mbi 1900, i takon Lombardisë.
Borrelli tha se rritja e numrit të viktimave nga e hënë në të martë nuk do të thotë asgjë pasi kemi të bëjmë me mbi 3300 pacientë që janë në reanimacion, dhe numri viktimave ndryshon nga gjendja që këta pacientë të terapisë intensive kanë nga dita në ditë. Për Borrellin treguesi me shpresëdhënës është ulja e pacientëve të rinj, ndonëse ai u përpoq që të qëndronte me këmbë në toke duke thënë se është shpejt për të thënë që kurba ka nisur të ulet.
Lajm i mirë edhe nga vendi ku “lindi” koronavirusi në Itali, Codogno.
Këtë të martë numri i rasteve të reja në këtë lokalitet është zero në raport me ditën e parë, çka konfirmon efektet që ka dhënë izolimi disa javor i qytetarëve.