Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në përurimin e pikës kufitare të Grabomit, në Malësinë e Madhe. Gjatë ceremonisë, ku ishin të pranishëm ndër të tjerët edhe kryeministri malazez Zdravko Krivokapic si dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazovic, kryeministri Rama përfitoi edhe një herë për të vënë në dukje rëndësinë e një zone të hapur ekonomikisht në Ballkan, si është dakordësuar tashmë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Sot ishte një dite e mirë sepse bie një tjetër mur midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe për ato qe e përdorin këtë rrugë, duke kaluar në mënyrë dinjitoze. Por nuk mjafton të ndërtosh infrastrukturë dinjitoze nëse se bashku ne nuk i heqim të gjitha barrierat tarifore dhe nuk e bëjmë kalimin e qytetarëve pa pritur në asnjë minute në kalimin e kufirit. Edhe pse kushtet këtu janë europiane, sërish kamionët këtu do të presin për kontrolle, kjo nuk shkon dhe duhet ta ndryshojmë”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Rama kujtoi se ka diskutuar me Abazovic se për ndërtimin e urës mbi Bunë, por shton një dyshim. “Nuk kuptoj sesi mund të ndërtojmë një infrastrukturë turistike ku sërish do të ketë kontrolle. Unë shpresoj që paralelisht me ndërtimin e urës ne të bëjmë edhe shembjen e të gjitha barrierave tarifore dhe të identifikimit të njerëzve, në mënyrë që shtetasit mos të kenë idenë që po kalojnë nga një shtet ne tjetër ashtu siç ndodh edhe në Bashkimin Europian, sepse nuk po shpikim asgjë te re, mjafton të angazhohemi”.
Rama kujtoi iniciativën “Open Balkan”, ku sipas tij objektivi është mbizotërimi i “një zone ku mbizotërojnë 4 liritë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve” ku objektivi sipas kryeministrit është që të gjithë shtetasit të ndihen të lirë dhe gjithë sipërmarrësit të ndihen me të njëjtin dinjitet të sipërmarrësve europian.