Një hetim 2 mujor i policisë së Korçës ka çuar në pranga agjenten postare Alma Beqiri, pasi akuzohet se përmes mashtrimit ka përvetësuar 3 milionë Euro.
46-vjeçarja, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.
Hetimet e zhvilluara nga uniformat blu kanë zbuluar se kjo skemë mashtrimi e vënë në jetë nga 46-vjeçarja ka nisur prej vitit 2021.
Ndërsa shumat e konsiderueshme të parave të përfituara, Alma Beqiri mësohet se i ka shfrytëzuar për të blerë pasuri të paluajtshme dhe biznese tregtare të cilat i ka regjistruar në emrin e vet dhe familjarëve të saj.
Në kuadër të këtij operacioni, policia sekuestroi 2 automjete që përdoreshin nga 46-vjeçarja, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë skemë.