Politika Përzgjedhja e deputetëve të PS, Rama: Nismë që bëhet për herë të...

Përzgjedhja e deputetëve të PS, Rama: Nismë që bëhet për herë të parë në Shqipëri

Kryeministri njëherësh dhe kreu i PS, Edi Rama, ka prezantuar kandidatët që kanë kaluar fazën e parë për të qenë pjesë e listave të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Rama u shpreh kjo formë e përzgjedhjes së kandidatëve bëhet për herë të parë në Shqipëri.

Më tej ai tha se ata që nuk janë kualifikuar në këtë fazë të dytë nuk do të thotë se ata janë më pak të mirë, por se nuk kanë arritur që ta prezantojnë veten siç duhet në video-mesazh. Rama tha se në këtë fazë të dytë janë 58 kandidat, nga të cilët do të përzgjidhet një pjesë e tyre për të qenë pjesë e ekipit që do to garojnë në zgjedhjet e ardhshme.

“Më vjen mirë që ky program, kjo nismë e Partisë Socialiste, një nismë që materializohet për herë të parë në historinë e re të politikës. Më vjen mirë që në gjithë këtë masë jo të vogël njerëzish që janë filtruar në këtë fazë të dytë. Kjo është faza e konsolidimit të këtij grupi të ri, janë 58 emra që përfshihen në listën e atyre që e kanë prezantuar më mirë veten, kanë prezantuar më mirë pse-në e kësaj nisme individuale.

Natyrisht kjo nuk do të thotë që ata nuk janë përfshirë në atë listë, janë më pak të talentuar apo janë më pak të prerë për të qenë përfaqësues në politikë. Kjo është arsyeja që unë i inkurajoj ata që nuk kanë kaluar në fazën e dytë që mos tërhiqen të mos ligështohen, por për t’u marrë me politikë duhet punë duhet trajnim”, tha Rama.

Më tej kryeministri veçoi disa nga emrat duke thënë se kanë punuar në institucione ndërkombëtare dhe kanë mbaruar studimet në universitete prestigjioze në Evropë.