Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vlerësoi atë që e cilësoi si një “proces risi të politikës shqiptare” dhe falënderoi anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave për punën që kanë nisur.
Gjatë një takimi me anëtarët e komisionit, Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Enriketa Papa dhe Mark Marku, Basha u shpreh: “PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike, si dhe nga personalitete të shquara të jetës akademike dhe publike. Nisja e punës nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave është vetëm faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Ky është momenti të shpreh mirënjohjen për çdo anëtar të Partisë Demokratike, që kontribuoi në këtë proces të propozimit të kandidatëve, duke evidentuar më të mirët e më të mirëve, të cilët përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj”.
Kreu i PD shprehu mirënjohje për Institutin Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe Fondacionin Konrad Adenauer dhe Partinë Popullore Europiane – PPE për mbështetjen ndaj partisë së tij. “Përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme do të jetë epoka e re në demokratizimin e partive politike shqiptare. Modeli ynë, ku zëri i anëtarësisë dëgjohet në përzgjedhjen e përfaqësuesve në parlamentin e ardhshëm dhe drejtuesve në nivel vendor dhe qendror, do të jetë dhe modeli për qeverisjen e ardhshme, ku zëri i qytetarëve do të jetë parësor në vendimmarrjet për Shqipërinë, për shqiptarët, për zhvillim dhe punësim, si prioritet kryesor i imi dhe i PD.
Me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave, me programin shpresëdhënës dhe angazhimin tonë të plotë dhe serioz, motorët e ndezur të fushatës sonë po çojnë përpara çdo ditë e më shumë procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik”, shtoi Basha.