Nga Alice Tidey
Pandemia COVID-19 ka vazhduar të dominojë mediat edhe këtë javë teksa virusi përhapet me vrull nga Europa në Amerikën e Veriut, çka mund t’ju ketë bërë të mendoni se asgjë tjetër nuk ka ndodhur në botë.
Më poshtë ngjarjet që mund t’ju kenë shpëtuar:
1- Siria hyn në vitin e dhjetë të luftës
Përpara se koronavirusi të rrëmbente jetë çdo ditë përreth globit, konflikti, i cili ka nisur në fillim të 2011, qëndronte larg radarëve të botës, duke e kthyer në një luftë që nuk i dukej fundi midis një rrjeti gjithmonë e më kompleks aktorësh dhe refugjatësh.
Por teksa shënon dhjetëvjetorin, lufta, e cila i dha jetë Shtetit Islamik dhe nxiti krizën më të madhe humanitare të shek. XXI, ka treguar se ende vazhdon të krijojë tragjedi të reja që ndikojnë mbi politikat globale.
Më herët gjatë këtij muaji, trupat turke dhe siriane u përplasën në veriperëndim të Sirisë. Kjo çoi në dy kahe të kundërt të luftës Rusinë dhe Turqinë, vend anëtar i NATO, në prag të një përshkallëzimi dhe prodhoi një valë të paprecedentë refugjatësh. Me argumentin se gjendet përballë një fluksi të ri refugjatësh nga Siria, Turqia shpalli se nuk do ta ndalte më valën e emigrantëve dhe refugjatëve që të futej në mënyrë të paligjshme në Greqi, duke prezantuar Bashkimin Europian me një krizë të re përgjegjësie dhe morale.
Më shumë se gjysma e popullsisë prej 23 milionë banorësh është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre, ndërsa 80 për qind e popullsisë jeton në kushte të mjerueshme, sipas Kombeve të Bashkuara. Gjysma e vendit është kthyer në rrënoja dhe procesi politik nuk ekziston më.
2- Shpallet fajtor vëllai i terroristit të Mançesterit
Hashem Abedi, vëllai i vogël i kamikazit që i mori jetën 22 personave gjatë koncertit të këngëtares Ariana Grande në maj të 2017 në Mançester, u shpall fajtor për 22 akuza vrasje, tentativë vrasje dhe një akuzë për komplot me bombë.
Më shumë se 260 të tjerë mbetën të plagosur nga sulmi.
3- Policia gjermane bastis lëvizjen neonaziste
Më shumë se 400 oficerë policie kanë kryer disa operacione në 21 vendndodhje të ndryshme përgjatë Gjermanisë gjatë së enjtes kundër grupit antisemit të djathtës ekstreme, Reichburge, ka njoftuar Ministria e Brendshme.
Ky grup kundërshton legjitimitetin e shtetit modern gjerman.
4- Karkalecat pushtojnë Afrikën lindore
Një valë e madhe karkalecash ka pushtuar Afrikën lindore, duke shkatërruar të korrurat dhe duke vënë në një rrezik të paprecedentë sigurinë ushqimore në rajon, teksa raportohet për të paktën 10 shtete të prekura.
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) tha të martën se situata është “jashtëzakonisht alarmante veçanërisht në Kenia, Etiopi dhe Somali”.
Agjencia e ka përshkruar më parë si “kriza më e rëndë e karkalecave në shkretëtirë prej 25 vjetësh.
5- Joe Biden fiton edhe në tre shtete të tjera
Pretendenti kryesor i demokratëve, Joe Biden, ka fituar edhe në 3 shtete të tjera, duke përforcuar edhe më tej idenë se ai do të jetë kandidati kryesor i demokratëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Ish zv-presidenti i Shteteve të Bashkuara fitoi në Arizona, Florida dhe Illinois./EuroNews