Pjesëmarrësit në sherrin pas ndeshjes Tirana-Laçi pritet të ndëshkohen nga Komisioni i Disiplinës në Federatë. Rregullorja parashikon 6 ndeshje pezullim dhe gjobë.
Përkufizimi i ngjarjes është i thjeshtë, ishte një turp. Personazhe të Tiranës dhe Laçit turpëruan një ndeshje që duhej të ishte model për të respektuar kujtimin e legjendës Ali Mema, dhe sipas rregulloreve, rrezikojnë ndëshkimin.
Neni 50 i Kodit të Disiplinës parashikon se kushdo që përfshihet në përleshje pezullohet me 6 ndeshje, si dhe merr gjobë 100 000 lekë.
Futbollisti i Tiranës, Majkëll Ngo, u përplas verbalisht me presidentin e Laçit, Pashk Laska, e më pas palët tentuan të përlesheshin edhe fizikisht, besohet pas një debati për mënyrën sesi shkoi ndeshja.
Në vijim, djali i presidentit kurbinas kapi lojtarin e Tiranës nga prapa dhe u përpoq ta godiste, por menjëherë u ndalua nga dy lojtarë kryeqytetas, Hasani e Imami.
Kaosi ishte i madh, megjithë ndërhyrjen e rojeve të sigurisë private, ndërsa Policia e Shtetit ishte tepër e ngadalshme në veprimet e saj. Në konflikt pati edhe kacafytje mes lojtarëve, ku doli i dëmtuar futbollisti laçian Sefgjini, ndërsa drejt tij u vërsul një portier i Tiranës.
Nuk dihet nëse Sefgjini ka goditur, dhe nëse ai vetë është goditur nga portieri kryeqytetas. Gjithë sherri nuk zgjati më shumë se 1 minutë, por mjaftoi për të prishur imazhin e ndeshjes.
Tirana pati pretendime për gjyqtarin Kridens Meta, si dhe për gjyqtarin e katërt, dhe konkretisht për shtesën e dhënë 6 minuta, shtesë e cila u shtua në 9 minuta nga Meta.
Vonesat gjatë ndeshjes, në të vërtetë, nuk e justifikuan as shtesën, dhe as zgjatjen e saj. Gjithsesi, gjatë lojës, nuk mund të thuhet se Meta mbajti krahun e njërës skuadër apo tjetrës.
Në minutën e 53-të ai akordoi 11-metërsh për Tiranën, që ishte në avantazh 1-0. Vendimi ishte i saktë, por penalltia u humb nga Hasani.
Në minutën e 65-të, arbitri anuloi me të drejtë golin e shënuar nga Grent Halili për Tiranën, sepse ai u realizua me dorë.
Meta u informua nga ndihmësit dhe ndryshoi vendimin, pasi fillimisht e dha gol të rregullt.
Në minutën e 4-ët shtesë, ai nuk ngurroi të nxirrte me karton të kuq futbollistin e Laçit, Najdenov, një vendim që mund të ishte edhe i ndryshëm, dhe lojtari kurbinas mund të ndëshkohej edhe vetëm me të verdhë.