Armando Sadiku e ka nisur futbollin që në moshë të vogël. Si fëmijë i pëlqente të luante dhe në ndihmë i vinte babai i tij, i cili edhe e stërviste. Më pas erdhi koha për të qenë profesionist, por në një ndeshje Elbasani-Laçi në “Ruzhdi Bizhuta” (tani “Elbasan Arena”) në vitin 2010 bëri një gjest ndaj anti-sportiv që i rrezikoi karrierën, pasi u pezullua për dy vite. Gjithsesi më pas pati amnisti dhe Sadiku e rinisi fluturimin nga Zvicra.
Në intervistën e dhënë për Eldesmarque.com ai ka folur për hapat e parë në futbolli, vitin e largët 1997, si dhe emocionet që përjeton kur vesh fanellën e kombëtares. Një kapitull të rëndësishëm në karrierë e Sadikut e zënë edhe dëmtimet e rënda në gju, ndërkohë që nuk mund të mos flasë për të vetmin gol të Shqipërisë në një Europian. Ëndërr e realizuar dhe shumë emocione.
FILLIMET E KARRIERËS DHE VITI 1997 – “E kam nisur me futbollin që në fëmijëri, me babain si trajner të parë. Deri në moshën 15 vjeç isha me të, më pas, kur isha 16 vjeç, kam luajtur ndeshjen time të parë si profesionist. Nga aty nisi gjithçka. Vitit 1997? Pati një luftë në Shqipëri atëherë. Isha 6 ose 7 vjeç. Ishte një gjë normale për mua, pasi isha i vogël dhe nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte. Ndodhi gjithçka shumë shpejt dhe u harrua më pas”.
SHQIPËRIA DHE GRUMBULLIMET ME KOMBËTAREN – “Çdo vit, sa herë kthehem në vendin tim, shumë gjëra kanë ndryshuar. Për mua është diçka e mirë t’u them kolegëve të mi këtu që ta vizitojnë Shqipërinë. Jam krenar për këtë. Grumbullimet me kombëtaren? Është gjithmonë diçka e veçantë. Është diçka krejt tjetër që të luaj me fanellën që e kam ëndërruar që kur isha fëmijë. Është shumë e rëndësishme për mua”.
DËMTIMET DHE PEZULLIMI – “Kam pasur shumë dëmtime në karrierën time dhe më kanë penalizuar pak. Disa herë dëmtimet kanë qenë serioze dhe më kanë lënë jashtë për një kohë të gjatë. Falë Zotit gjithçka ka kaluar dhe jam këtu ku jam, duke luajtur dhe ndihem mirë. Gjithçka harrohet kur je mirë. Pezullimi? Isha një adoleshent. Nuk i kuptoja gjëra të caktuara, gjithmonë dëshiroja më shumë.
Doja të jepja më shumë nga vetja, gjithmonë dëshiroja të fitoja dhe ndodh që ndonjëherë të mos ndodhë diçka e tij. Unë bëra një veprim të gabuar me një arbitër dhe më pezulluan për disa muaj. Nga ai moment dola për të luajtur jashtë, ishte një moment kyç në karrierën time. Nuk ishte diçka e mirë, por më pas gjërat më shkuan mirë dhe sot po luaj këtu”.
GOLI NË EUROPIAN – Shqipëria mposhti Rumaninë në ndeshjen e fundit në grup dhe Sadiku ishte heroi, me atë gol me kokë që shënoi. Festa ishte e madhe, sikurse edhe shprehet sulmuesi kuqezi, i cili iu drejtua me vrap stolit. “Fatmirësisht nuk u largova nga stadiumi (qesh). Ishte një gol që të vjen një herë në jetë. Kam ëndërruar që fëmijë të luaj me ekipin tim kombëtar dhe të shkoj në një Europian. Shënimi i atij goli ishte një emocion i madh për mua, një ëndërr e bërë realitet. Ishte një ndjenjë shumë e mirë, fantastike. Kur shënova, doja të largohesha nga stadiumi prej emocioneve dhe lumturisë që kisha”, përfundon Sadiku.