Gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani është pezulluar 6 muaj nga detyra, duke marrë pagë minimale për këtë periudhë.
Masa disiplinore është marrë me marrëveshje mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe vetë magjistrates, e cila ka pranuar përgjegjësinë morale për videot e publikuara në rrjetin social Tik Tok, nga ambientet e gjykatës së Elbasanit.
Pas publikimit të videove gjyqtarja dha dorëheqjen si zv.kryetare e Gjykatës së Elbasanit.
Hetimi disiplinor ishte urdhëruar nga kryetari i ILD-së Artur Metani për aktivitetin e gjyqtares Kapedani në rrjetin social.
Video “selfie” të postuara prej gjyqtares në mjediset e gjykatës, të shoqëruara me muzikë të papërshtatshme, u publikuan në media, duke ngjallur mjaft reagime për thyerje të Kodit të Etikës.