Sport Pas Australisë, goditja e radhës për Djokovic vjen nga Franca

Pas Australisë, goditja e radhës për Djokovic vjen nga Franca

Qeveria e Francës, që para 10 ditësh bënte me dije se Novak Djokovic mund të merrte pjesë në turneun “Roland Garros” edhe pse i pavaksinuar, ka ndryshuar mendje dhe paralajmëron që të gjithë tenistët e pranishëm në këtë “Grand Slam” duhet të jenë vaksinuar me të gjitha dozat, njësoj si publiku dhe të gjithë personat e përfshirë në organizim.

Lajmin e dha ministrja e Sportit e Francës, Roxana Maracineanu, disa orë pasi Parlamenti i këtij vendi miratoi ligjin që bën të detyrueshëm certifikatën e vaksinimit për shumë aktivitete të jetës sociale, përfshirë eventet sportive.

Më 7 janar, kur Djokovic ishte në “luftë” politike dhe gjyqësore me Australinë për pjesëmarrjen në “Australian Open”, ministrja Roxana Maracineanu pati thënë se serbi do të lejohej të merrte pjesë në “Grand Slam”-in francez, që do të zhvillohet nga fundi i majit deri në fillim të qershorit. Atëherë, ajo tha se Franca do të pranonte përjashtimet për sportistë të pavaksinuar në kompeticionet ndërkombëtare.

Por, ligji i miratuar së fundmi në Francë ka ndryshuar krejtësisht situatën dhe Novak Djokovic rrezikon që këtë vit, të mos marrë pjesë në asnjërin prej 4 turneve “Grand Slam” (Australian Open, Wimbledon, Roland Garros dhe US Open), duke mbetur në kuotën e 20 titujve në karrierë, aq sa kanë Roger Federer dhe Rafael Nadal.

“Linja e ashpër”

Ministrja franceze, Roxana Maracineanu, deklaroi: “Pasaporta e vaksinimit, do të jetë e detyrueshme për spektatorët, por edhe për ata që praktikojnë sportin, për sportistët profesioniste, francezë dhe të huaj“.

Në këtë mënyrë bëhet e qartë se nuk do të jetë përjashtime për ata që nuk janë vaksinuar, apo që janë imunizuar me vaksina që nuk njihen zyrtarisht nga Franca.

Ka fituar kështu “linja e ashpër”, si për të thjeshtëzuar aplikimin e rregullave të reja, por edhe për të evituar polemika të panevojshme 100 ditë para zgjedhjeve presidenciale, në një vend ku përjashtimet nuk shihen me sy të mirë.

Shpresa për një përmirësim të situatës

Me hyrjen në fuqi të rregullave të reja, në rastin më të mirë Djokovic mund të shpresojë në një përmirësim të ndjeshëm të situatës shëndetësore, çka mund ta shtyjë qeverinë të pezullojë vendimin për pasaportën e vaksinimit, që për momentin vlen deri në fund të qershorit.

Gjithsesi tani për tani në situatën aktuale serbit i duhet të modifikojë planet për këtë sezon. Presidenti i Federatës Franceze të tenisit bëri të ditur se po punon për të përfituar një përjashtim për atletët që nuk janë vaksinuar, por nga mazhoranca erdhi përgjigja e ashpër e shefit të deputetëve të presidentit Emmanuel Macron, ish-ministrit të punëve të brendshme Christophe Castaner që deklaroi: “Nuk do të ketë përjashtime, rregullat vlejnë për të gjithë. As që bëhet fjalë që në këto kushte Djokovic të luajë në Roland Garros”.