Shëndet Pfizer: Një dozë e tretë e vaksinës rrit “fuqishëm” mbrojtjen kundër variantit...

Pfizer: Një dozë e tretë e vaksinës rrit “fuqishëm” mbrojtjen kundër variantit Delta

Një dozë e tretë e vaksinës Pfizer mund të forcojë fuqishëm mbrojtjen kundër variantit Delta, përtej mbrojtjes së ofruar nga dy doza standarde, sugjerojnë të dhënat e reja të publikuara nga Pfizer.

Të dhënat tregojnë se niveli e antitrupave kundër Deltës mund të rritet pesëfish te njerëzit 18 deri në 55 vjeç, nëse marrin një dozë të tretë të vaksinës.

Në grupmoshën 65-85 vjeç, niveli i antitrupave kundër Deltës rritet 11 herë më shumë sesa pas një doze të dytë.

Të dhënat, të cilat përfshinin testet e 23 personave, ende nuk janë rishikuar ose publikuar.

Nuk është e qartë nëse nivelet e rritura të antitrupave në fakt lidhen me mbrojtjen më të mirë, ose nëse kjo mbrojtje shtesë është e nevojshme. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se vaksinat aktuale i mbrojnë njerëzit mirë nga të gjitha variantet e zakonshme.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se nivelet e antitrupave janë shumë më të larta kundër variantit origjinal të koronavirusit dhe variantit Beta, të identifikuar së pari në Afrikën e Jugut, pas një doze të tretë.

Pfizer dhe partneri i saj BioNtech publikuan të dhëna shtesë që lidhen me sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës së tyre të koronavirusit dhe thanë se mbrojtja zgjat të paktën gjashtë muaj, por mund të fillojë të dobësohet pak drejt fundit të kësaj periudhe.

Të dhënat u publikuan në serverin online medrxiv.org, i cili përditëson rezultatet nga testi/eksperimenti i Pfizer, ku përfshihen 44 mijë vullnetarë në të gjithë botën.

Ai zbuloi se efikasiteti i përgjithshëm ishte rreth 91% gjatë gjashtë muajve. Ndërsa efikasiteti i vaksinës kundër Covid-19 të rëndë ishte rreth 97%.

Të dhënat tregojnë se efikasiteti i vaksinës arriti kulmin në më shumë se 96% nga një javë në rreth dy muaj pas marrjes së një doze të dytë të vaksinës, dhe më pas duket se bie gradualisht në 83.7% katër deri në gjashtë muaj më vonë.