Një pilulë eksperimentale antivirale e zhvilluar nga kompania amerikane Merck & Co (MRK.N) mund të përgjysmojë vdekjet nga COVID-19 dhe mund të shmangë shtrimin në spital për ata që janë më të rrezikuar nga infektimi i rëndë me këtë virus.
Kompania planifikon të kërkojë autorizimin e përdorimit emergjent në SHBA dhe të paraqesin aplikime tek agjencitë rregullatore në të gjithë botën.
Nëse autorizohet, ilaçi i quajtur Molnupiravir, i cili është krijuar për të futur gabime në kodin gjenetik të virusit, do të ishte pilula e parë antivirale për COVID-19.
Zyrtarët shëndetësorë në SHBA mirëpritën lajmet se një pilulë e prodhuar nga prodhuesi amerikan i ilaçeve Merck, mund të përgjysmojë shanset për të vdekur ose për t’u shtruar në spital.
“Lajmi për efikasitetin e këtij antivirali të veçantë është padyshim një lajm shumë i mirë. Kompania kur na informoi tha se ata do t’i dorëzojnë të dhënat e tyre në FDA. Të dhënat janë mbresëlënëse,” tha Dr Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.
Ende nuk dihet çmimi që mund të ketë kjo pilulë.
Rivalët, përfshirë Pfizer Inc dhe kompania zvicerane Roche Holding AG. po ashtu po garojnë për të zhvilluar edhe ata një pilulë antivirale të lehtë kundër COVID-19.
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një ilaç antiviral, Remdesivir-in, për COVID-19 dhe kanë lejuar përdorimin urgjent të tre terapive me antitrupa, por të gjithë barnat duhet të jepen me injeksion në spitale.