Ekonomi Bizneset në Shqipëri, ambasadorja Kim: Do të vazhdojmë të ecim përpara pavarësisht...

Bizneset në Shqipëri, ambasadorja Kim: Do të vazhdojmë të ecim përpara pavarësisht çdo pengese

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shoqërohej nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim, teksa të dyja kanë inspektuar zonën ku do të ndërtohet Hidrocentrali i Skavicës. Ambasadorja Kim tha se që kur ka ardhur në Shqipëri ka bërë të qartë prioritetet që SHBA ka për vendin tonë që janë demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Pasi përmendi përparimin në mbrojtje dhe në frontin e demokracisë, sa i përket biznesit, Kim tha se do të ecet përpara pavarësisht çdo pengese.

“Siç e dini kur mbërrita e bëra shumë të qartë që kemi 3 prioritete: demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Mbrëmë festuam 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë. Sikurse jeni në dijeni ne kemi bërë përparim sa i përket për shembull mbrojtjes, Shqipëria mikpriti një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të Ballkanit. Gjithashtu jeni në dijeni në frontin e demokracisë ne kemi bërë përparim siç është mbështetja për reformën në drejtësi. Sa i përket biznesit ne do të vazhdojmë të ecim përpara pavarësisht çdo pengese. Sikurse më keni dëgjuar jam shprehur për rëndësinë e të sjellit më shumë mundësi ekonomike në veri të Shqipëri. Është kënaqësi të jem këtu në Kukës së bashku me një nga kompanitë më të mëdha dhe më të shkëlqyera amerikane. Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi këtu në fazat e hershme të këtij projekti dhe presim me kënaqësi të shohim se çfarë do të ndodhë më tej”, tha Kim.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës është një ëndërr për të gjithë shqiptarët. Ajo deklaroi kjo do të jetë një vepër jo vetëm e rëndësisë së infrastrukturës kritike, por edhe për sigurinë energjitike.

Është kënaqësi të shkelim në tokën ku do të ndërtohet Hidrocentrali i Skavicës. Një ëndërr e të gjithë shqiptarëve dhe të jemi këtu për të realizuar këtë projekt është e rëndësishëm. Tek vija këtu po diskutoja se kjo nuk do jetë vetëm një vepër e infrastrukturës kritike. Ne kërkojmë të arrijmë disa parametra që kanë të bëjnë me sigurinë energjitike. Siguria energjitike është thelbi i këtij projekti. Shqipëria po mundohet të rrisë kapacitetin e prodhimit vendas duke e kthyer Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë së rinovueshme dhe jo importues. Projekti është mjaft i rëndësishëm. Me përfundimin e hidrocentralit do të fillojë një epokë e re për zonën e Kukësit dhe Dibrës pasi do të ndërtohet një infrastrukturë e re që do t’i ndihmojë në turizëm”, tha Balluku.

Ajo u shpreh se do të dëgjohen të gjithë banorët dhe të kryhen sipas procedurave të gjitha shpronësimet dhe akomodimet e tyre. Ky fakt u përmend edhe nga një përfaqësues i kompanisë Bechtel, një ndër më të mëdhave sa i përket sektorit të energjisë.

“Në emër të kompanisë Bechtel jam i gëzuar që jam këtu sot, ky është projekt mahnitës. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Fokusi ynë këtu është që projekti të trajtohet në mënyrën e duhur, duke u angazhuar me komunitetin lokal në mënyrën e duhur. Të angazhohemi me mjedisin në mënyrën e duhur. Përfundimisht besojmë se ky projekt do të jetë historik dhe që bashkë me partnerët do të ketë një rezultat emocional”, tha ai.

Një tjetër pikë kryesore për t’u mbrojtur është edhe mjedisi.

“Mund të themi që gjëja që nuk jemi të sigurt dhe është pak e paditur është tek gjeologjia. Ky është një vend i bukur dhe duam t punojmë në një mënyrë që të mbrojmë mjedisin e bukur. Ky është një risk. Përveç kësaj është puna me komunitetin lokal, deri më tani angazhimi që kemi parë dhe takimi me komunitetin e vogël ka qenë pozitiv”, tha një prej inxhinierëve të Bechtel.