Nga Alessia Selimi*
“Në familjen tonë, çfarë lindte mashkull, ishte i destinuar të ishte orëndreqës. Nëse fëmijët e vegjël luanin me lodrat e limituara të kohës, ne luanim me ingranazhet e një ore. Orëndreqësi ngjason shumë me doktorin, veçse ky i fundit orientohet hera herës nga pacienti…E megjithatë, na mban gjallë e njëjta ndjenjë, ajo e të kthyerit në jetë diçka të vdekur”.
Akrepat e orës po kthehen pas, shumë pas në kohë. Me vetëdije të plotë, jo kushdo mund të bëhet pjesë e një udhëtimi të këtillë. Por, familja Tufina nuk i trembet aspak të shkuarës. Tik-tak-tik-tak…Vijon t’i qendrojë besnike tingullit ritmik. Bashkëshoqëruesi jonë është Adriani, një nga sahatçinjtë e familjes tiranase Tufina. Me një krenari mëse të justifikueshme, nuk na tregon veçse historinë shekullore të këtij zanati pothuajse në zhdukje, por i bën gjithashtu thirrje qeverisjes aktuale që të ndryshojë një orë e më parë qasjen përkundrejt orëndreqësve dhe zanateve të ngjashme me to.
Sahati i Tiranës/ Kontributi i familjes Tufina
Zhvendosemi në vitin 1780, kur Ismail Tufina u njoh dhe u dashurua për herë të parë me mekanizmin e një ore. Bazuar në rrëfimet gojore të ardhura brez pas brezi, Adriani tregon se Ismaili ishte për haxhillëk në Mekë, kur u njoh në një bujtinë me një orëndreqës boshnjak. Molin (siç e thërrisnin shkurt asokohe në Tiranën e vogël) e pat tërhequr fort “ky biçim zanoti”. Me qëllimin për ta përvetësuar dhe zotëruar, vendosi që të qëndronte në Arabinë Saudite. Pas dy vitesh, i ngarkuar me alete, Ismail Tufina u rikthye në Shqipëri me një qëllim të mirëpërcaktuar; mandej e tutje do të merrej vetëm me riparim dhe shitje orash. Kësisoj, hapi dyert e një dyqani përballë xhamisë së Et’hem Beut, te ish-bar Krimeja. “Kështu u shënua zanafilla e një itinerari të gjatë, të përshkruar nga një mori pasardhësish…”-thotë Adriani, duke shtuar se emri i Ismailit është i lidhur ngushtë me Kullën e Sahatit.
“Muli ishte ai që bleu orën e parë të kullës, tek vëllezërit londinez Eduart dhe James Prior. Normalisht që ndihmuan edhe tregtarët e pasur të kryeqytetit. U instalua në vitin 1828, në dimensionin 30 m lartësi, me një këmbanë që peshonte 100 kg (20% flori dhe 80% argjend e bronz). Sipas gojëdhënave, këmbana u dëgjonte deri në fshatrat e Linzës. Ora funksionoi deri në vitin 1917, sepse iu vodh mekanizmi nga ushtria austro-hungareze. Pas 11 vitesh, ishte po familja jonë (Haxhi Arif Tufina) që vendosi t’i kthejë tingullin kryeqytetit. Ora e re, e blerë për 13 mijë franga ari, mori tjetër formë; u ngrit 5 metra më sipër dhe u bë me katër fusha. Jetëgjatësia e saj u regjistrua deri në vitin 1944. Në luftën për çlirimin e Tiranës, ushtria gjermane e bombardoi xhaminë dhe sahatin,duke e shkatërruar plotësisht këtë të fundit”-tregon Adriani tërë pasion.
Ai thotë më tej se sahatçinjtë Tufina u shkëputën njëherë e mirë nga ora e Tiranës në vitin 1973, sepse në atë kohë “inovatorët” socialistë, kinezë dhe shqiptarë, preferuan përpara mekanizmit të vjetër atë elektrik, që gjendet aktualisht edhe sot. Adriani i ka bërë kërkesa të vazhdueshme kryebashkiakut aktual, si edhe atyre të mëparshmëve, që të rikthehet mekanizmi i dikurshëm, por nuk ka marrë qoftë dhe një përgjigje të vetme. “Kërkesat kanë shkuar në vesh të shurdhët. Më trishton shfrytëzimi që i kanë bërë Sahatit të Tiranës. E kanë lyer dhe e kanë shëmtuar me atë ngjyrë të bardhë, me atë lloj këmbane që stonon plotësisht me mekanizmin elektrik. Dhe të mendosh se është më e vjetër si Bing Beni…”-shprehet i revoltuar ai.
Orëndreqësit Tufina përballë të shkuarës dhe të tashmes
Zemërimi i ndjehet edhe kur ndalet në periudhën e komunizmit. Tufina ishte një ndër ato familje tregtare që e pësoi më së shumti. “Gjatë luftës, njësitë guerrile vranë kot së koti njërin nga xhaxhallarët tanë, Fiqiri Tufinën. Përpos kësaj jete të marrë, gjyshit i sekuestruan të gjitha pronat. Bëhet fjalë për 24 dyqane, të gjitha të hapura në pazarin e vjetër të Tiranës. Por, nuk u mjaftuan vetëm me pronat. Sekuestruan një sërë orash, duke fiiluar nga ato të xhepit, të tavolinës, të murit, si dhe orat kolonë. Madje, dy prej tyre gjenden sot në zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta”-tregon Ardiani, i cili, përpos gjithçkaje, refuzon t’i shohë të shkatërruara. Kjo është edhe arsyeja se përse para pak muajve u angazhua personalisht që të riparonte orën në presidencë.
“Përpara së të prekeshim nga regjimi komunist, Tufina hapi dyqane edhe në Durrës e Bari. Gëzonte gjithashtu ekskluzivitetin në të gjithë Ballkanin për ora mjaft cilësore, si “Longines”, “Nice Watch”, “Omega” dhe “Berhard”. Shtëpitë tona ishin shndërruar në shkolla profesionale, ku të rinj nga rrethet vinin të etur për të mësuar rreth profesionit të orëndreqësit. Jam i sinqertë kur ju them se një pjesë e mirë e orëndreqësve në Shqipëri, janë produkt i familjes sonë”, vijon Ardiani.
Ai thotë se është tërhequr nga profesioni në vitin 2005, për t’u marrë me menaxhimin e hostelit të ngritur në shtëpinë e gjyshit të tij, në zonën e Pazarit të Ri. Duket se nuk ka qenë një zgjedhje e udhëhequr nga dëshira. “Qeveria i sheh zanatçinjtë si njerëz pa vlerë. Nuk i mbështet aspak me politikat që ndjek. Sot, po të më japë shteti subvencion, nuk e lë shtëpinë e gjyshit në hostel, por e kthej menjëherë në shkollë profesionale”, shprehet Adriani, teksa e ka të pamundur të mos shfaqë shqetësim për të ardhmen.
“Ndonëse në kohën e regjimit punohej në fshehtësi, me perde të mbyllura, profesioni i orëndreqësit ka qenë mjaft i paguar. Ndërsa në realitetin e sotëm, kam frikë ta shoh djalin tim si orëndreqës. Jo më kot edhe unë e braktisa. Ekonomia e tregut nuk të krijon aspak mundësi për të jetuar me këtë lloj profesioni. Është për të ardhur keq, sepse orëndreqësit tanë nuk i hapin askujt rrugën në punën që bëjnë. Jemi ndoshta më të mirët. Në këtë krahasim, nuk po e përfshij aspak Europën. Kam qenë në Itali dhe Zvicër, kam parë se çfarë quajnë ata orëndreqës; vetëm zëvendësojnë pjesë. Ndërkohë që, ne jemi mjaft të zotët në riparim. E dini përse? Sepse të tilla ishin rrethanat. Duke qenë të mbyllur për 50 vite, ishim të detyruar të riparonim ato që kishim…”
Ama, ka edhe të rinj që po mundohen të vijnë ndryshe brenda familjes; jo vetëm nën përparësen e orëndreqësit. Një prej tyre është Enisi. Me patentën “Tufina”, ai ka sjellë për tregun vendas dhe jo vetëm brendin “Teorema”, “Trias” dhe “Pionier”, të cilat rezultojnë mjaft të pëlqyera nga klientët.
Ora e Sulltan Hamitit II-Busullat e një kapiteni italian/ Thesaret e paçmuara të familjes Tufina
Adriani pohon me dy sy të qeshur se familja Tufina gëzon si thesar një orë që është plotësisht e ngjashme me atë të sulltan Hamitit. Ky i fundit, sipas orëndreqësit, ishte mik i ngushtë i stërgjyshit dhe ky ishte edhe shkaku se përse u prodhuan dy ora të njëjta. E teksa ora e sulltanit gjendet sot në një muze në Turqi, ora e familjes Tufina gjendet e ndarë në pjesë; tre pinjollë posedojnë secili makinerinë, fushën dhe kasën e florinjtë (280 gram). Adriani shpjegon se vetëm në këtë mënyrë do të arrinin t’i bënin ballë konfiskimit të egër në kohën e regjimit komunist, por edhe dëshirës për ta shitur.
Kurse në vitin 1939-1940, një kapiten italian i një anije lufte solli në njërin dyqan të atëhershëm të familjes Tufina (Rruga 28 Nëntori) katër pajisje; dy ora dhe dy busulla për riparim. Kapiteni italian do të rikthehej në dyqan vetëm pas nëntë vitesh, me pamjen e një civili. Sikurse tregon Adriani, xhaxhai i tij, Shaban Tufina, e njohu porsa e pa dhe menjëherë iu drejtua kasafortës për t’i dhënë busullat dhe orët. Mirëpo, kapiteni, i çuditur nga korrektësia e treguar, pasi i bëri me dije se anija i ishte mbytur, i dhuroi nga katër pajisjet, dy prej tyre. Ndonëse nuk kanë të njëjtën vlerë me orën e sulltan Hamitit, familja Tufina i konsideron sërish si thesare.
Një muze në të ardhmen?
Duke u hasur me traditën shumëvjeçare të familjes Tufina, është e pamundur të mos e pyesësh Adrianin për një muze në të ardhmen. Megjithatë, ai shfaqet i stepur në përgjigje. Thotë se tranzicioni ka shkatërruar një pjesë të mirë të kujtimeve. “Unë u zhvendosa, ika tjetërkund. Lashë shumë gjëra pas shpine, që fatkeqësisht nuk më rezultojnë më. Nga ana tjetër, shumë ora u shitën jashtë, sepse na lindi nevoja. E kam menduar shumë herë krijimin e një muzeu, por gjithmonë arrij në konkluzionin se, nëse do të vijë ajo ditë, do ta kem të shkrirë së bashku me ambientin e riparimit dhe shitjes”.
*Gazeta Mapo