Udhëtimi i Milanit në kampionat do të rifillojë nga Specia. Skuadra kuqezi, e freskët nga dy fitore radhazi kundër Bolonjës dhe Krotones, do të kërkojë maksimumin të shtunën në mbrëmje, që të ruajë distancën nga ndjekësit dhe të mbrojë kreun renditjes.
Stefano Pioli, duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes, tha: “Ne do të duhet të jemi të kujdesshëm ndaj një ekipi që na krijoi probleme në ndeshjen e parë dhe arriti të mposhtë Romën e Napolin. Do të na duhet një performancë e nivelit të lartë”.
Kohët e fundit, Ivan Gazidis përdori fjalë të rëndësishme për të komentuar punën e Piolit: “Jam i kënaqur. Ekziston një harmoni mes nesh, e jona është një marrëdhënie e rritur me kalimin e kohës. Te Milani ekziston uniteti i qëllimeve, ne të gjithë po punojmë drejt të njëjtit synim. Duam ta rikthejmë Milanin në nivelet që meriton”.
Trajneri kuqezi zbuloi se si u arrit kjo kompaktësi: “Unë kurrë nuk kam ndjerë ndarje, përkundrazi, në momente të vështira klubi na ka mbrojtur dhe na ka dhënë mundësinë për të punuar në më të mirën tonë. Maldini dhe Massara janë gjithmonë të pranishëm, të gjithë kemi punuar së bashku për të krijuar një mjedis të mirë. Themelet janë hedhur për të ndërtuar një të ardhme të mirë dhe mbi to duhet të punojmë”.
Milani sheh tani nga Specia: “Të gjithë u stërvitën me ekipin, përveç Brahim Diaz dhe Maldinit. Kam zgjedhje të mira për ndeshjen e nesërme. Ne do të mendojmë vetëm për Specia, jo për ndeshjet e ardhshme. Vetëm shpresoj që grupi të mbetet i plotë. Unë kam lojtarë të rëndësishëm në çdo pozicion dhe zgjedhjet nuk janë të lehta, por e gjitha kjo ndihmon ekipin. Është e rëndësishme të aktivizosh një 11-she të fortë, por gjithashtu të kesh mundësinë të ndryshosh gjatë lojës”.
Gjatë ditëve të fundit është folur shumë për rinovimet te Milani: “Klubi tashmë ka folur, ne kemi besim se mund të vazhdojmë së bashku. Djemtë janë të qetë, duan të bëjnë gjëra të mëdha dhe janë të përqendruar vetëm te puna. Milani po ndërton diçka të rëndësishme”.
Pioli shpjegoi atë gjë, që Milani ende mund ta përmirësojë: “Ka ende shumë situata, në të cilat mund të bëjmë më mirë. Ne mund të përmirësohemi gjatë lojës, të jemi më kompaktë dhe të vendosur në kërkimin e golit. Jemi një ekip i ri, që ende ka shumë marzhe. Ne e dimë që pritshmëritë janë rritur, ndaj duhet të jemi të gatshëm. Leao? Ai po ecën mirë në pozicione të ndryshme, besoj se roli i tij është në të majtë. Rritja e tij është e dukshme, ka luajtur shumë mirë muajt e fundit në role të ndryshme”.
Zlatan Ibrahimoviç do të jetë ndër protagonistët e Festivalit të Sanremos: “Ende nuk kemi organizuar gjë, është herët. Nga këtu deri në Sanremo kemi ende pesë ndeshje, qëllimi është të qëndrojmë të përqendruar. Festivali ynë është fusha”. Milani nuk ka ndërmend të ndalet: “Ne gjithmonë shohim përpara, e dimë që në më pak se katër muaj do të luajmë gjithçka të këtij sezon. Ne kemi mbjellë, tani shpresojmë të korrim më shumë nga sa mund të prisnim në fillim. Kemi një skuadër të re, por të rinjtë kanë energji dhe qëndrueshmëri. Ky është një sezon i veçantë, pa përgatitje të plota parasezonale”.
Deri më tani, Milani ka bërë diçka shumë të rëndësishme: “Nuk ka rëndësi se çfarë kemi bërë deri më tani, gjithmonë ua them këtë lojtarëve të mi. Duhet të punojmë për të përfituar sa më shumë nga ky sezon. Kampionati nuk mbaron nesër, duam të arrijmë në fund pa keqardhje. Nuk duhet të fluturojmë, por të punojmë me përulësi. Nuk kemi nevojë të ëndërrojmë, por të japim më të mirën. Ju nuk do ta dëgjoni fjalën “titull” nga unë deri në maj”.