Humbja në derbi ka lënë pasoja në shtëpinë e Milanit, veçanërisht për mënyrën sesi erdhi, pasi ishin fituar pjesën e parë 0-2 dhe në 45-minutëshin e dytë nxorën plot 4 herë topin nga rrjeta, duke u larguar kokulur nga “San Siro”.
I ardhur për të nxjerrë skuadrën nga kriza, Stefano Pioli ka regjistruar 8 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje në stolin e Milanit, ndërsa kuqezinjtë nga 4 pikë larg vendit të katërt, tani e shohin veten plot 10 pikë larg Atalantës.
Për më tepër, vlen të theksohet se ndaj skuadrave të kreut të renditjes Milani ka dalë me zero pikë, çka i venit edhe më shumë shanset e kuqezinjve për t’ia dalë të renditen në katërshen e parë dhe të rikthehen në Champions.
Sipas mediave pranë klubit kuqezi, Pioli ka firmosur deri në verën e 2021-shit me Milanin dhe drejtuesit nuk i kanë vënë kusht kualifikimin në zonën Champions, por tani është e qartë që nëse kuqezinjtë nuk renditen në katërshen e parë tekniku nuk do të konfirmohet për verën e ardhshme.
Momentalisht alternativa e përfolur për të pasuar Piolin është ajo e gjermanit Ralf Rangnick, që pritet të vijë me rolin e dyfishtë të trajnerit dhe drejtorit sportiv, pas një eksperience të njëjtë te gjermanët e Leipzig.
Megjithatë së fundi ka dalë në skenë edhe rikthimi i bujshëm i Massimiliano Allegrit, i cili ka drejtuar kuqezinjtë edhe në periudhën 2010-2014, duke i çuar drejt titullit kampion që në sezonin e tij të parë dhe flirtuar në sezonin e dytë.
Aktualisht Massimiliano Allegri është i papunë që prej verës së kaluar kur u largua nga Juventusi dhe ndonëse shumë klube kanë marrë informacione për të, ai nuk ka pranuar të marrë një ekip në mes të sezonit, duke pritur verën.