Kohë për pushim nuk ka dhe Milani rikthehet sërish në fushë ditën e nesërme. Kuqezinjtë presin Sparta Prague në “San Siro” (18:55), sfida e dytë e fazës së grupeve në Europa League, takim për të cilin trajneri Stefano Pioli tha këto fjalë në konferencën për shtypin.
“Po shpenzojmë shumë energji dhe do të bëjmë disa ndryshime në ndeshjen me Spartën. Formacionin nuk e di askush, do të vendos pas stërvitjes së fundit”.
Ibra? “Nuk ka nevojë ta pyes, ai gjithmonë më thotë se ndihet gati për të luajtur. Grupi jonë (Celtic, Sparta Prague dhe Lille) është shumë i vështirë. Sparta i ka fituar të gjashtë ndeshjet e kampionatit, edhe kur Lille luajtën mirë deri në momentin që mbetën me 10 lojtarë. Çekët luajnë një futboll modern, plor ritëm dhe intensitet. Fitorja nuk do të jetë aspak e thjeshtë”.
Baresi zëvendës president i Milanit? “Jam shumë i lumtur për vendimin që është marrë. Franco është një legjendë e Milanit, jam i sigurt që do t’i përcjellë vlerat e duhura djemve. Mezi po pres të vijë në Milanello dhe të bisedoj me të“, deklaron trajneri i ekipit italian.
Gazidis: Maldini gati për merkaton e janarit
Shefi ekzekutiv i Milanit, Ivan Gazidis, ka paralajmëruar se kuqezinjtë po përgatiten për merkaton e janarit. Gjithashtu ai është vlerëson pronarët e klubit italian dhe është shumë i lumtur me ecurinë e ekipit deri tani.
“Ne po kalojmë një moment pozitiv, por rruga është ende e gjatë dhe sfiduese. Më vjen mirë që pronarët kanë besim tek menaxhimi jonë. Ne kemi një strategji shumë të qartë: të transferojmë disa nga talentet më të mirë që qarkullojnë dhe ato të rriten tek ne”, deklaron Gazidis për “TMW”.
“Merkatoja e verës ka pak ditë që është mbyllur dhe ne jemi shumë të kënaqur se si shkuan gjërat. Tashmë drejtori sportiv, Paolo Maldini, po përgatitet për merkaton e dimrit. Ne kemi shumë besim se ai do të bëjë sërish një punë të mirë”, mbyll CEO i Milanit.