Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero e sheh si një lajm të mirë, faktin që qeveria ka vendosur lirimin e disa masave nga e hëna e 27 Prillit.
Megjithatë gjatë emisionit “Zonë e Lirë”, ai bëri thirrje për kujdes nga qytetarët në mënyrë që të mos kthehemi më tek masat e forta.
“Lajm shumë i mirë, por natyrisht duke pasur kujdes maksimal që të mos kthehemi tek masat. E kemi ne në dorë që të kthehemi prapë te masat apo jo”, tha Pipero, i cili shtoi se duhen dy javë të paktën që të kuptohet nëse rezultati nga hapja do të jetë pozitiv apo negativ.
Ndër të tjera, Pipero tha se mjekët kanë krijuar një eksperiencë në menaxhimin e situatës, ndërsa qytetarët respektojnë masat.
Me këto dy pika të fituara gjatë kësaj kohe, sipas Piperos ne nuk do të rikthehemi tek masat e forta.
“Duhet doemos që të respektojmë disa masa apo kushtet minimale, por optimale në përmbajtje për të parandaluar kthimin e masave. Ju siguroj që nuk do të kthehemi pas sepse tashmë kemi fituar një eksperiencë të mirë ne në menaxhim dhe qytetarët në respektimin e masave, nuk besoj kurrë që do kthehemi pas Çani”, tha Pipero.