Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës gjatë një operacioni të koduar “Laboratori”, ku u sekuestruan 1.8 kg heroinë dhe 200 gram kokainë.
Të arrestuarit janë F.N. 30 vjeç i dënuar më parë për shitje droge dhe P.P. 27 vjeç.
I pari njihet në kryeqytet me pseudonimin “Loli Verës”, kurse i dyti njihet si “Pipo”.
Ndërkohë që katër persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi dhe shitje droge.
Uniformat blu kishin marrë informacione për 30-vjeçarin F. N., i cili në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohej se tregtonin lëndë narkotike të llojit “Heroinë dhe Kokainë” për llogari e këtij të fundit në zonën e Tiranës. Pas hetimeve u zbulua se ai së bashku me “Pipon” shisnin në formë dozash dhe në sasi të konsiderueshme heroinë dhe kokainë.
Për këtë aktivitet kriminal personat kishin përshtatur një apartament për përpunimin, përzerien, ambalazhim, e lëndës narkotike dhe më pas ua shisnin klientëve në doza të vogla.
Në momentin e ndërhyrjes shtetaseve F.N dhe P.P gjatë kontrollit fizik policia u ka gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike në formë dozash, ku më pas kontrolli ka vijuar në banesa ku gjithsej janë gjetur e sekuestruar rreth 1 kilogramë e 864 gramë heroinë.