Ismail Kadare mungoi në homazhet që u organizuan për nder të Dritëro Agollit në Pallatin e Kongreseve.
Por regjisori Pirro Milkani tregoi në homazhe se dy shkrimtarët ishin pajtuar vite më parë, gjatë xhirimeve të dokumentarëve për shkrimtarët.
Milkani tregoi se shkak për moskomunikimin mes dy shkrimtarëve ishin disa “arsye absurd”.
“Për 50 vjet rrugëtuam bashkë me Dritëroin, bashkëpunuam dhe erdhi momenti që në këto vitet e turbullta që quhen “vitet e tranzicionit, vitet e demokracisë” e ku di unë, ndodhi një fenomen që po jua them sot juve, që këto dy kolosë të mëdhenj, Dritëroi dhe Ismaili, për një arsye absurde nuk flisnin me njëri tjetrin, pothuajse nuk komunikonin.
Më erdhi dhe mua fati në dorë, pata porosi për të realizuar dokumentar për Dritëroin dhe Ismailin.
E fillova me Ismailin dhe zbatova bashkë me djalin tim Enon, parimin e njohur, të mësuar në shkollë nga profesorët e mi “Të nxitoja me ngadalë”, e kështu avash-avash, ndoqa Ismailin nëpër evenimente të ndryshme, por e shihja që diçka nuk shkonte.
Atëherë u detyrova dhe i them “Ismail ky film nuk mund të jetë i plotë pa Dritëroin. Unë dua t’ju kem të dyve bashkë në film. U mendua.
E kuptoi që ishte e drejtë.
Shkova te Dritëroi dhe te Sadija. Fola edhe me ta. Dhe ia arrita, që pas kaq vjetësh, këta dy kolosë, këtu te Juvenilja të takoheshin me një dashuri dhe me një emocion të jashtëzakonshëm.
Është dëshmitare Sadija, është dëshmitar filmi. Bëra filmin e Dritëroit me Enon, shkrova dhe tekstin dhe skenarin, dhe në atë skenar thashë edhe këto fjalë: “Qoftë i bekuar ai kumbar, që aty në Menkulas, më 13 tetor të vitit 1931, pati idenë t’i vërë emrin këtij djali “Dritëro”, i cili vërtet u bë dritë për ne të gjithë”, u shpreh Milkani.