Raporti mes Miralem Pjanic dhe Massimiliano Allegrit, ish-trajnerit të Juventusit, ka qenë gjithmonë i mirë dhe i shkëlqyer, të paktën se si e rrëfen në intervistën për “Vanity Fair” boshnjaku: “Ende tani flasim! Dëshiron që të reflektojë pak. Dhe, kur të ketë vendosur, atëherë nuk do ta ketë problem të gjej një ekip të madh”.
“A jam përplasur ndonjëherë? Sigurisht, ai të thotë në fytyrë çfarë mendon, ashtu si unë. Tallej me mua, më thoshte se kur shkova nga Roma te Juventusi nuk dija të bëja pasime mbi 5 metra distancë dhe ai më përmirësoi… Qeshte kur e thoshte, ashtu si qeshja unë kur më thoshte se ka qenë mesfushori më i mirë italian në histori”.
Në fund, diçka edhe për lamtumirën e Tottit dhe De Rossit nga Roma, por sidomos çështja “Nainggolan”: “Totti iku sepse nuk mund të qëndronte në një situatë të sikletshme. Kam folur me të, por edhe me De Rossin, që mbetet misteri më i madh se si e hoqën…”.