Në futbollin modern, mënyra më e mirë për të harruar dhimbjet e një dështimi të madh shpesh nuk është ndryshimi i filozofisë dhe revolucioni duke nisur nga themelet, por thjesht merkato faraonike dhe mbi të gjitha zhurma mediatike menjëherë pas goditjes së rëndë.
Ky është rasti i Juventusit, që sapo është eliminuar nga Ajax, pikërisht në vitin kur dukej se kishte më shumë shanse se kurrë për të triumfuar në Champions.
Drejtuesit bardhezinj nxituan të konfirmonin trajnerin Max Allegri në stol (nuk i dihet, gjithsesi), ndërsa tashmë mediat italiane, ndoshta nga mendja e vet, ose me ndonjë “sponsorizim” nga kokat e klubit bardhezi, kanë nxituar të publikojnë lista pa fund emrash që pritet të shkojnë në Torino në verë.
Një listë e frikshme, a thua se Juventusi do të blejë gjysmën e Europës, por është e qartë që edhe nëse blen 2-3 lojtarë nga ata më poshtë, sërish Juve do ishte “top”.
SALAH – Ditën e mërkurë spanjollja AS doli me një titull të bujshëm: “Salah është grindur keq me Klopp dhe ka bërë kërkesë për largim nga Liverpool”. Natyrisht, një lajm që nuk duhet besuar verbërisht, por gjithsesi Juve është gati: nëse Liverpool e shet egjiptianin, Juve ofron Dybala në shkëmbim, edhe pse vetë “Faraoni” do të preferonte Real Madridin.
CHIESA – Konsiderohet e ardhmja e sulmit të Italisë dhe Fiorentina e ka të qartë se nuk do e mbajë dot për shumë vite, ndaj thjesht pret ankandin në verë. Liverpool është interesuar, por Fiorentina kërkon të paktën 70 milionë euro dhe Juve mund të futet fuqishëm në garë, nëse shet emra si Dybala, Douglas Costa, Pjanic e Mandzukic.
ZANIOLO – Nicolò është një nga emrat që Juventusi e ndjek prej kohësh dhe tashmë mesfushori ka shpërthyer te Roma, duke mahnitur brenda e jashtë Italisë. Roma e konsideron lojtar tepër të rëndësishëm dhe dëshiron të rinovojë me të, Juve do futet në garë vetëm nëse verdhekuqtë nuk bezdisen dhe janë gati të bisedojnë.
RUBEN DIAS – Ëndrra e Juves në mbrojtje është De Ligt, por fenomeni i Ajax preferon Barcelonën dhe nuk ka faj. Atëherë Juve kërkon një qendërmbrojtës tjetër dhe emri i duhur mund të jetë ai i Ruben Dias, një tjetër yll i Benfica-s, që natyrisht është dyqan luksoz dhe nuk shet lirë: Dias vlen të paktën 60 milionë euro. Një alternativë e çmendur do ishte Milan Skriniar i Interit, por ka pak shanse që zikaltrit t’i bëjnë dhuratë të tillë Juves, edhe pse me 90-100 milionë euro gjithçka mund të ndodhë.
JOAO FELIX – Së bashku me De Ligt e De Jong, është një ndër lojtarët që ka mahnitur botën këtë sezon. Vetëm 19 vjeç, vlen që tani 120 milionë euro, sepse aq është klauzola e prishjes së kontratës. Jorge Mendes mund ta bashkojë me Ronaldon, sepse Juve e ka treguar se nuk kursen për yje, por varet shumë nga dëshira e sulmuesit portugez.