Aktualitet Plagoset me armë zjarri ish-kreu i PS-së së Vaut të Dejës

Plagoset me armë zjarri ish-kreu i PS-së së Vaut të Dejës

Ish-kreu i PS-së së Vaut të Dejës, Nikolin Huba, mbeti i plagosur me armë zjarri paraditen e të shtunës në Shkodër.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 në afërsi të Shkollës Pyjore, teksa 54-vjeçari nga Vau i Dejës është qëlluar sapo ka dalë nga lokali dhe po futej në automjetin e tij tip Mercedez-Benz. Dy persona që udhëtonin me një motor, kanë qëlluar në drejtim të tij 5 herë, ndërsa dy plumba e kanë kapur në këmbë.

Ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje mbërriti policia e cila pasi bëri rrethimin e zonës, nisi punën për mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Gjithashtu patrullat e policisë nisën kërkimet në lagjet afër qendrës së qytetit, ku dyshohet se mund të jenë strehuar dy personat që morën pjesë në këtë ngjarje.

Vendi ku ka ndodhur plagosja është zonë e cila monitorohet nga kamerat e sigurisë, ndaj hetuesit i kanë marrë në dispozicion për të identifikuar autorët.

Policia mori në pyetje edhe Nikolin Hubën në spital, i cili ka deklaruar se nuk i ka njohur autorët ndërsa ka mohuar që të ketë konflikte.

“Sapo kam dalë nga kafja dy persona me motor me skafandër në kokë janë afruar dhe më kanë qëlluar. Nuk më kanë thënë asnjë fjalë. Unë nuk e di se kush janë, sepse nuk kam asnjë konflikt me askënd. Vetëm qëlluan dhe ikën, nuk kam asnjë ide perse me qëlluan”.

Nikolin Huba ka qenë ish-kryetar i Partisë Socialiste për Vaun e Dejës, ndërsa bashkëshortja e tij është anëtare e këshillit bashkiak të këtij qyteti.