Sport U kthye në çështje te Zvicra, Mourinho këshillon Xhakën: Vaksinohu dhe je...

U kthye në çështje te Zvicra, Mourinho këshillon Xhakën: Vaksinohu dhe je i sigurt

Një ditë më parë, Federata Zvicerane e Futbollit konfirmoi se kapiteni Granit Xhaka nuk e ka marrë vaksinën kundër koronavirusit. Deklarata erdhi pasi Xhaka doli pozitiv në testin për Covid-19 dhe mungoi në takimin e të mërkurës të Zvicrës kundër Greqisë.

Ndërkohë, një këshillë për mesfushorin e Arsenal e ka dhënë edhe trajneri i Romës, portugezi Mourinho, i cili i ka shkruar në Instagram shqiptarit ku i thotë të bëjë vaksinën për të qenë i sigurt.

Xhaka ishte pranë Romës në merkaton e verës, por në fund vendosi ta vazhdojë karrierën e tij në Londër, me bluzën e Arsenal.

Adrian Arnold, drejtori i komunikimit në Federatën e Zvicrës, tha se Xhaka ishte i vetmi lojtar që nuk kishte pranuar të merrte vaksinën, pas rekomandimit nga institucioni. Ai do të mungojë edhe në ndeshjet kualifikuese të Zvicrës kundër Italisë dhe Irlandës së Veriut dhe do të qëndrojë për 10 ditë të tjera në Zvicër.