Një 35-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi ai kishte plagosur me mjet prerë dy vëllezër. Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se i riu ishte larguar menjëherë nga vendngjarja.
Blutë i sekuestruan mjetin prerës, një sasi kokaine dhe 1150 euro, ndërkohë që dy vëllezërit ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Për ngjarjen është proceduar dhe një i mitur, për moskallëzim krimi.
“Plagosi rëndë me mjet prerës, 2 shtetas (vëllezër), dhe më pas u largua, kapet dhe vihet në pranga, pas ndjekjes intensive nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar. Procedohet në gjendje të lirë një 17-vjeçar, për moskallëzim krimi. Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 1150 euro dhe mjeti prerës me të cilin është kryer plagosja e 2 vëllezërve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve që kryejnë vepra penale, pas informacioneve se një shtetas kishte plagosur rëndë me mjet prerës 2 vëllezër, në rrugën “Thoma Koxhaj”, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Tracking”, për kapjen e tij.
Si rezultat i këtij operacioni, pas disa orësh ndjekje intensive, është bërë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit G. L., 35 vjeç, banues në Lushnjë.
Shtetasi G. L., pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Thoma Koxhaj”, ka goditur me mjet prerës shtetasit R. A., 26 vjeç dhe V. A., 31 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar. Me marrjen e informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe pas disa orësh ndjekje intensive, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Lushnjë, në një hotel në Lushnjë, kanë lokalizuar shtetasin G. L., së bashku me një 17-vjeçar. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. L. iu gjetën dhe sekuestruan 1150 euro, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjeti prerës që dyshohet se ka përdorur për plagosjen e 2 vëllezërve. Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për 17-vjeçarin, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente. Dy vëllezërit e dëmtuar ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.