21-vjeçarja që plagosi me thikë të moshuarin në Vaun e Dejës është vënë në pranga.
Përmes një njoftimi të dytë, policia bën me dije se 68-vjeçari vijon të jetë në spital ndërkohë që e reja akuzohet për plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta.
Pavarësisht se më herët u raportua se e reja e kishte plagosur të moshuarin në formë vetëmbrojtjeje pasi ai i ishte futur në shtëpi duke tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë, policia thekson: “Mbrëmjen e djeshme, 21-vjeçarja, dyshohet se për motive të dobëta, plagosi me mjet prerës (thikë), shtetasin Z. P., 68 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ata të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetases N. N., 21 vjeçe, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë, shtetasja N. N. u identifikua dhe u shoqërua menjëherë pas ngjarjes, si dhe iu sekuestrua mjeti prerës (thikë), me të cilin kreu plagosjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet më tej nga blutë.
/