Presidenti Ilir Meta shkoi në Kavajë, pas plagosjes me armë zjarri të një të riu në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në këtë qytet.
Nga aty, Meta iu drejtua me tone të ashpra kryeministrit Edi Rama.
“Të jetë gjaku i fundit që derdhet për zgjedhje. Ti ke çuar rrugaçët për të hyrë në shtëpinë e Partisë Demokratike, ke lëshuar banditët tërë natën në të gjithë Shqipërinë, u ke mbush mendjen se do të kesh mandatin e tretë, prandaj thirri mendjes përpara se të jetë vonë. Lëri qytetarët që të votojnë të lirë dhe të qetë. Boll e shkele Kushtetutën, ke bërë qindra krime zgjedhore gjithë këto ditë. Mos kujto se Kavaja dhe Shqipëria mund të dhunohet dhe poshtërohet në këtë mënyrë”, tha Meta.
Më tej, Presidenti iu drejtua edhe drejtorit të Policisë së Shtetit: “Shpresojmë që policia të ketë ndërhyrë dhe t’i lërë motivet e dobëta. Ardi Veliu, lëri motivet e dobëta! Është serioze tani loja, nuk ka shaka dhe mos i lini ato që janë në kërkim që të lëvizin të lirë sepse do të ketë veprime spektakolare që nuk u ka vajtur mendja. Nuk preket më vota e asnjë shqiptari. Ka trima që duan ta prekin? Ta provojnë. Ka çuna problematikë? Po kur të bëhet i gjithë populli problematik, me Presidentin problematik, ku do të shkosh ti, Edi Rama? Prandaj, thellohu, reflekto, shko te SPAK-u dhe rrëfehu atje”.