Hetimet për arratisjen e dështuar të Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit janë shtrirë tek tre të burgosur të tjerë. Sipas Klan News, bëhet me dije se prokuroria dyshon se dhe tre të burgosur të tjerë kanë pasur dijeni për planin e arratisjes.
Mësohet se akuza për “Moskallëzim krimi” është ngritur kundër Dritan Sinanit, Elvis Fajzullahut dhe Bekim Bulicës.
Të tre të burgosurit dyshohet se ishin në dijeni të planit, por nuk kanë raportuar pranë autoriteteve.
Ndërkohë në hetim janë dhe 6 punonjës së burgut 313, të cilët akuzohet se kanë shpërdoruar detyrën. Por dhe pse prokuroria po vijon hetimet, Fatmir Pjetri ka thënë se plani ka qenë vetëm i tij dhe nuk e ka ndarë me askënd.
Përpara gjykatës një ditë më parë ai shfajësoi Arbër Çekajn dhe Endrit Çepelen, duke thënë se askush nuk kishte dijeni që ai donte të arratisej.
Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata vendosi për të tre 90 ditë izolim. Tentativa e arratisjes u bë mesditën e së dielës gjatë orarit të ajrimit.