Zlatan Ibrahimovic e zbuloi para pak kohësh. Sulmuesin në Itali e do edhe Bolonja dhe tashmë gjërat po bëhen serioze. “Mihajlovic është miku im dhe nëse e zgjedh Bolonjën e bëj vetëm prej tij. Kemi folur dhe e dini çfarë më tha?! ‘Zlatan, këtu të gjithë do të vraponin për ty’. E falënderoj, por e vështirë të ndodhë diçka e tillë. Nëse ndryshoj mendim, atëherë do e telefonoj menjëherë. Në Serie A, edhe tani do të mund të shënoj rreth 20 gola”, thoshte sulmuesi dy javë më parë.
Tanimë Corriere dello Sport raporton se presidenti Joey Saputo po ngacmohet nga ideja e transferimit të Ibrahimovic te Bolonja, pasi më parë ka bindur Didier Drogba të luajë për Montreal Impact. Gjithashtu ai ka shumë dëshirë t’ia bëjë një dhuratë trajnerit Mihajlovic, i cili ka bërë shumë për klubin që ai financon.
Së treti, administratori i deleguar, Claudio Fenucci, si dhe drejtori sportiv Walter Sabatini e dinë shumë mirë se çfarë ndikimi do të kishte në aspektin sportiv transferimi i Zlatan Ibrahimovic. Gjithashtu Bolonja do të përfitonte edhe në aspektin e marketingut me afrimin e suedezit, i cili mbetet një lojtar shumë i dashur për tifozët anembanë botës.
Kërkesat e Raiolës nuk bien poshtë 8 milionë eurove dhe tanimë Saputo do të duhet të bëjë një tur takimesh me pjesëtarët e tjerët të klubit dhe trajnerin, i cili duhet të thotë fjalën e tij për transferimin e 38-vjeçarit.
Bolonja ndërkohë po mundohet ta bindë sulmuesin me një kontratë 18 mujore, që në moshën e tij nuk është se ia ofron kushdo. Me sponsorët që mund të paguajnë një pjesë të pagës së Ibrahimovic, kalimi i tij te klubi italian po kthehet në një mundësi reale.