“Perënditë” po u lënë vend në “Olimpin” e futbollit kampionëve të së ardhmes. Mund të ngjiten Salah, Wijnaldum, pse jo de Jong e de Ligt… Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk do të mund të jenë protagonistë në finalen e Championsit. Asnjë nga dy “yjet”, që kanë dominuar skenën e futbollit për më shumë se një dekadë, nuk do të ketë nderin të grejë lart kupën me veshë të mëdhenj. Nga sezoni 2013-2014, të paktën njëri prej tyre ka luajtur gjithmonë në finale.
Pas 5 vitesh, një finale pa Messin ose Ronaldon: Sfida e Championsit ka qenë frymëzimi i një dueli të përjetshëm mes “Pleshtit” dhe CR7, të cilët kanë këmbyer fronin e triumfatorit. Në vitin 2014, portugezi ngjiti Realin e Madridit në çatinë e botës në derbin me Atleticon, ndërsa në vitin pasardhës ishte radha e Lionel Messit, që mposhti me Barcelonën Juventusin. Më pas, për tre sezone rresht, dominuesi absolut ishte Cristiano Ronaldo.
Topi i Artë: Që futbolli po ndryshon, këtë nuk ka njeri ta mohojë. Është një e dhënë e rëndësishme që mund të influencojë edhe në çmimin e “Topit të Artë”. Vitet e fundit nuk ka patur histori: argjentinasi dhe portugezi janë sfiduar me njëri-tjetrin edhe falë Championsit për çmimet individuale. Përjashtim bën vetëm triumfi i Luka Modricit për çmimin e “Topit të Artë” të vitit 2018, pasi nga viti 2008, pra për 10 vite rresht, ka qenë një stafetë mes Ronaldos dhe Messit. Ndoshta ka mbërritur momenti që të bëjnë një vit pushim.