Nga Mentor Kikia
Që një adoleshente, aktiviste mjedisi, si Greta e Suedisë, nuk shkoi fillikat në pallatin e madh të OKB-së, kjo nuk do shumë mend. Por të shikosh pas saj teori konspirative sikur Greta ka marrë përsipër të përmbysë botën kapitaliste, që e kemi kaq të mirë, kjo më duket një lajthitje me përmasa globale. Nejse, do të ndalesha tek shqipot…., shqipot e rrjeteve sociale. Ata që nuk lënë gjë pa sharë e përgojuar.
Kam lexuar sot kaq shumë sharje, e ndava mendjen, i lexova sa plasa. E sëmurë mendore, psikopate, histerike, kurvë, debile, egoiste, agresive, e dhunshme, depresive, prostitutë, që duhet të shkojë në spital, mjerë familja që e ka… madje edhe komuniste. Këtë të fundit se mora vesh pasi komunistët nuk dallojnë nga pamja e jashtme.
Lukunia e sharjeve, një dukuri kolektive shqiptare kjo, shpërthente pas çdo postimi që buronte nga mediat e huaja, lidhur me modelin e alarmit për mbrojtjen e klimës dhe planetit.
Edhe unë mendoj se planeti nuk shpëtohet me patetizma. Dakord! Por ku ishte e keqja, pavarësisht mënyrës se si u prezantua, që një adoleshente bëri që përmes saj në gjithë botën të flitet për këtë rrezik.
Me ju shqiptarë e kam, ju që jeni mësuar vetëm lepe-peqe, nga ju buron tërë ai vulg ndaj një adoleshenteje? A nuk e shprehni dot ndryshe mosaprovimin me dikë dhe diçka? Nuk dini të thoni: Jo, nuk jam dakord. Ju dini vetëm të pështyni dhe të lëpiheni, nuk keni rrugë të mesme?
E pra, unë nuk jam dakord me mënyrën se si një vajzë e vogël u shndërrua në “heroinën” e ambientalistëve. Nuk jam dakord as me mënyrën se si po përdoret ajo, as me mënyrën se si ngrihen çështjet e klimës. Por unë jam me Gretën para se të jem me ata që heshtin e fusin kokën nën tavolinë. Jam me Gretën para se të jem me ata që vetëm shajnë, gjithkënd dhe gjithçka që ngre kokë, pa arritur të japin e prodhojnë asnjë ide vetë.
Shani ju, ju që nuk keni dalë njëherë në protestë për shkatërrimin e pyjeve, shkatërrimin e bregdetit, shkatërrimin e gjithçkaje në këtë vend.
Doni ta dini pasojën e ndryshimit të klimës? Ja ku e keni: Bën 6 muaj thatërisë e të përcëllon, dhe shirat e dy muajve bien në një natë e të bëjnë gjëmën.
Jam me Gretën, sepse me ka lodhur ky mjedis ku të gjithë thonë: Po si nuk flet njeri more aman, si nuk reagon njeri këtu? E kur dikush flet, vrapojnë të pështyjnë: Po kur u bë edhe ky! Po ky nga na doli? Po ku merr vesh ky!