Aktualitet Po pastronin pusin, humbin jetën tre anëtarë të së njëjtës familje

Po pastronin pusin, humbin jetën tre anëtarë të së njëjtës familje

Pastrimi i pusit u ka marrë tragjikisht jetën 3 personave në fshatin Dushnik të Beratit. Sipas policisë, viktimat janë babë e bir dhe nipi, të cilët ishin futur për të pastruar pusin e ujit të pijshëm, por humbën jetën nga asfiksia e gazit.

Kamber Hoxha, 75 vjeç, ishte futur i pari për të pastruar pusin dhe më pas ishin futur për ta ndihmuar edhe djali dhe nipi i të moshuarit, Neim dhe Gentian Hoxha, 46 dhe 45 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Burime në vendin e ngjarjes thanë se 75-vjeçari dhe nipi kanë dalë pa jetë nga pusi, ndërsa Neim Hoxha ka ndërruar jetë në spital.

Ishin të afërmit ata që njoftuan policinë.

Tre viktimat kanë qëndruar për 30 minuta brenda në pusin prej afro 9 metrash të thellë. Të dhënat parapake flasin për një helmim nga gazi, por do të jetë ekspertiza ajo që do të zbardhë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.