Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish me nota ironie për përplasjen e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike, të shtunën e kaluar, duke e cilësuar si një kacafytje e dy kufomave politike, ku asnjëra nuk e lëshon tjetrin, pasi bien që të dy.
Kreu i qeverisë foli dhe për reagimin e Policisë në protestën e thirrur nga Berisha, duke shtuar se Basha nuk kishte nevojë që të fortifikonte selinë, por të paraqiste nevojën që institucioni të mbrohej prej saj.
“Kjo është për të qarë dhe për të qeshur, por nuk mund të qaj për gjendjen dramatike të opozitës. Nuk më ka rezultuar që ka pasur që anëtar të kryesisë për të marrë këtë seli me dhunë. Ne jemi bashkë në një proces në shërbim të njerëzve, nuk jemi në një proces kacafytjes, siç janë dy kufomat e PD që kanë marrë peng të gjithë demokratët.
Kjo është një kacafytje që askush nuk e lëshon tjetrin, pasi bien të dy. Për asnjë nuk janë të zgjidhura të gjitha problemet, partitë, aulat, ndërmarrjet. Ajo që është e sigurt, është që PS është në funksion të zgjedhjes së problemeve, ndërsa PD është në funksion të zgjidhjes së problemeve personale pa zgjidhje.
Njëri i mbyllur në selinë blu dhe tjetri i mbyllur në listën e zezë. Kjo është një situatë shumë kritike për demokratët dhe unë uroj që të dalin sa më shpejt, duke i kapërcyer këto kufoma dhe parë përpara. Të dy përfaqësuesit e mbetur nga e shkuara nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç. Sigurisht që deputetët e PD janë legjitim pasi janë me votë. Për sa kohë do të shohim se ka shans për bashkëpunim, jemi aty. Situata është e vështirë, unë uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet janë dy anë të së njëjtës medalje, të mbeten mbrapa.
Policia e Shtetit ishte në sfidën e saj më të vështirë pasi kurrë ajo nuk e ka pasur sfidën për të hyrë në oborrin e një partie për të ndarë dy palë që kacafyten, e trajtoi çështjen me profesionalizëm, por gjithçka mund të parandalohej nuk kishte nevojë të fortifikohej PD, por të kërkohej ndihmë më herët nga Policia. Lulzim Basha foli dhe bëri fortifikime në vend që të paraqiste nevojën që institucioni të mbrohej nga Policia. Reagimet e dy palëve për Policinë e Shtetit janë të ngjashme”, u shpreh kryeministri Rama.