Sport Po shkëlqen me Barcelonën, por De Jong ka një “peng”: Të luajë...

Po shkëlqen me Barcelonën, por De Jong ka një “peng”: Të luajë në Premier League

Jeta varet shumë nga zgjedhjet që bën, sidomos për ata që luajnë futboll. Të qëllosh në shenjë në një transferim ose të gabosh në një moment të caktuar, përbën një diferencë të madhe, është kufiri mes një karriere prej ylli dhe një karriere prej dështaku. Çdo futbollist kthen kokën pas dhe gjykon, nëse ka bërë zgjedhjen e duhur, apo jo. E vështirë të thuash se Frenki De Jong, një nga mesfushorët më të mirë në botë, ka gabuar me kalimin te Barcelona, ku është titullar i padiskutueshëm në formacionin e trajnerit Valverde.

Megjithatë, deklarata e holandezit për “Mirror” tregon se ai ka një “peng”: të luajë në Premier League. Për të, kampionati anglez është një hap përpara atij spanjoll, duke e parë kompeticionion në kompleks. “Mendoja se La Liga ishte kampionati më i mirë në botë. Mjafton të shihje si skuadrat spanjolle dominonin kampeticionet europiane. Klubet e La Ligas kanë një ecuri mjaft të mirë në Europë dhe shpesh çojnë në shtëpi trofe, në Champions League apo në Europa League. Por mendoj se Premier League ka fituar më shumë fuqi vitet e fundit”, – thekson De Jong. Fitimi i Championsit, nga Liverpuli, sipas tij, është shembulli i qartë për atë që ai mendon. “Kur flitet për fantazi dhe talent, Spanja mbetet më e mira, por intensiteti me të cilin luhet në kampionatin anglez, është në një nivel superior”, – shton holandezi.

Dhe De Jong e ka pasur mundësinë për të shkuar në Premier League. E thotë trajneri i Holandës, Ronald Koeman, i cili ia ka sugjeruar futbollistin e tij mikut Pep Guardiola te Mançester Siti. “Kam folur gjatë me Guardiolën për Frenki De Jong dhe Mathijs De Ligt. Pep është i çmendur për tipologjinë e mesfushorëve si De Jong, dëshironte të dinte çdo detaj për të. Natyrisht, sepse De Jong është një nga mesfushorët më të mirë në botë. Cilësia e tij më e mirë është se di të presë një ose dy sekonda më shumë para se të vendosë se çfarë do të bëjë me topin. Dhe pastaj papritur “shpik” një kalim të mrekullueshëm dhe të gjithë thonë: ‘O Zot’”. “Pengu” i De Jong ndoshta është ai që nuk priti një apo dy sekonda para se të zgjidhte menjëherë Barcelonën…