Bota Presidenti i Greqisë i ofron Tom Hanks-it dhe familjes së tij nënshtetësinë...

Presidenti i Greqisë i ofron Tom Hanks-it dhe familjes së tij nënshtetësinë greke

Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos i ka ofruar aktorit amerikan Tom Hanks, bashkëshortes së tij Rita Wilson dhe fëmijëve të tyre nënshtetësinë greke.

CNN shkruan se Pavlopoulos nënshkroi një urdhër nderi të premten për Hanks duke i ofruar nënshtetësinë.

“Tom Hanks është një person që tregoi interes real për njerëzit që vuajtën nga zjarret në Mati dhe ne e promovuan këtë çështje në median globale”, tha ministri grek i Brendshëm, Takis Theodorikakos në një prononcim për CNN.

Ai e ka fjalën për zjarret që shkatërruan zonat në rajonin e Attikës në Greqi, korrikun e kaluar.

Ministri shtoi se Hanks “promovon Greqinë përmes vizitave të tij të shpeshta gjatë verës në Antiparos, ku ai ka edhe një pronë”.

Hanks dhe gruaja e tij, Rita Wilson, kanë prodhuar gjithashtu një numër filmash të bazuar në Greqi dhe për komunitetin grek, duke përfshirë këtu “My Big Fat Greek Wedding,” “Mamma Mia!” dhe dy vazhdimet e tyre.

Gruaja e aktorit ka origjinë greke përmes nënës së saj dhe është rritur me besimin ortodoks.

Por dekreti nuk e bën Tom Hanks ende një qytetar grek. Aktori dhe familja e tij duhet të bëjnë një betim te ministri i Brendshëm brenda një viti.

Sipas kodit të shtetësisë greke, natyralizimi i nderit mund t’i jepet një “shtetasi të huaj që ka ofruar shërbime speciale në Greqi ose nëse natyralizimi i tij ose saj mund t’i shërbejë interesit të vendit”.

Ende nuk ka një koment nga Hanks dhe familja e tij.