Nicolo Barella ishte mesfushori që drejtuesit, por edhe tifozët e Interit, nisën të ëndërrojnë pas transferimit të tij këtë merkato vere, por kur janë luajtur dy javët e para të Serie A e gjithë vëmendja ka shkuar te një tjetër blerje në mesin e fushës.
Stefano Sensi u transferua te Interi pa shumë bujë. Ndoshta më shumë zhurmë bëri fakti që lojtari ishte pranë Milanit dhe më pas vendosi të kalojë te Interi, ku tashmë po shkëlqen.
Ish-lojtari i Sassolos ishte vendimtar në ndeshje e parë ndaj Lecce-s, duke realizuar edhe një gol, ndërsa në fitoren ndaj Cagliari-t fitoi 11-metërshin, ndërsa goditi edhe traversën nga goditja e dënimit.
Nga grumbullimi me kombëtaren e Italisë, Sensi është shprehur se nën drejtimin e Conte-s është përmirësuar në aspektin psikologjik.
“Për mua, ardhja te Interi është një ëndërr e realizuar tashmë, por unë jetoj me qetësi dhe ambicie. Unë dua të falënderoj për këtë trajnerin dhe shokët e skuadrës të cilët besojnë tek unë, duke më bërë të jap maksimumin”, është shprehur Sensi.