“Shikoje këtë shtëpinë… Është bosh… Nëse futemi nga mbrapa, e grabisim…”
Kështu i zgjidhnin shënjestrat e tyre, 4 grabitës shqiptarë, të cilët janë vënë në prangat e policisë italiane të premten e shkuar. Ata akuzohen për grabitjen e 48 apartamente brenda dy muajsh mes shtatorit dhe tetorit.
Disa prej vjedhjeve ishin kujdesur që t’i kryenin brenda natës, duke sfiduar ligjin dhe policët. Grabitjet janë kryer përgjithësisht në zonën e Veneziano-s, në provincat e Treviso-s, Padova-s e deri në Pordenone.
Sipas hetimeve, grupi e kishte bazën në një rrugë në Gazzato a Mestre dhe nga aty organizoheshin të gjitha grabitjet. Gjithmonë zgjidhnin orët e vona të natës dhe preferonin apartamentet ku ishin larguar pronarët.
Njëri bënte rolin e shoferit, ndërsa tre të tjerët kryenin grabitjet. Hetuesit kishin javë që i kishin pikasur. Ata ishin nën përgjim, baza e tyre e rrethuar me kamera, ndërsa në makinë i kishin vendosur GPS dhe përgjues. Aksioni për kapjen e shqiptarëve u krye të premten, pas frikës se hajdutët mund të arratiseshin.
Agjentët i ranë ziles së derës për ta hapur. Kjo shkaktoi panik të shqiptarët që u përpoqën të arratiseshin nga dritarja e banjës. Por policët shkallmuan derën dhe bënë të mundur kapjen e tre hajdutëve. Shoferi u kap disa minuta më vonë në një stacion.
Në përgjimet e bëra publike për mediat, hajdutët bisedojnë me njëri tjetrin dhe mburren për “të ardhurat” e tyre. Shoferi pretendon se ka fituar 5000 Euro në muaj, kurse një shqiptar tjetër thotë se ka përfituar 13 000 Euro nga “çmontimi i dorezave”.
Por tashmë ata ndodhen në burg dhe siç shkruajnë mediat nuk kanë pranuar që të japin versionin e tyre për autoritetet.