Dwayne Craddock është identifikuar si personi i dyshuar për vrasjen e 12 personave të premten në një ndërtesë të komunës në Virxhinia Beach. Ai punonte prej kohësh si një punonjës i shërbimeve publike.
Në një konferencë për shtyp të shtunën shefi i policisë James Cervera tha se personi i armatosur, ishte një punëtor i pakënaqur. Ai u vra nga policia pas një shkëmbimi zjarri për një kohë të gjatë siç tha zoti Cervera. Por shefi i policisë tha se ende nuk është përcaktuar një motiv mbi ngjarjen.
Gjatë konferencës për shtyp autoritetet u përqëndruan tek viktimat, duke përmendur emrin e secilit prej tyre, shoqëruar me fotografitë dhe informacion biografik.
Shefi administrativ i qytetit Dave Hansen tha se të gjithë ishin punonjës të administratës lokale të Virginia Beach përveç njërit prej tyre që ishte kontraktor. Zoti Hansen tha se ai kishte punuar prej vitesh me shumë prej tyre duke shtuar se ata do të “lënë një zbrazëti që kurrë nuk do të mbushet”.
Shefi i policisë James Cervera tha të premten se personi i armatosur “nisi të qëllojë ndaj të gjithëve pa dallim” menjëherë sapo hyri në ndërtesën komunale, pak pas orës 4 pasdite.
Sipas zyrtarëve katër persona të tjerë u plagosën si pasojë e të shtënave.
Dëshmitarët thonë se të shtënat ndodhën në ndërtesën e dytë të kompleksit komunal të Virginia Beach, ku ndodhen zyrat e personelit përgjegjës për punimet publike të qytetit, shërbimet publike dhe departamentet e planifikimit.
Zoti Cervera tha se mes atyre që u goditën me armë zjarri ishte edhe një oficer policie, por ai arriti të shpëtojë falë veshjes antiplumb. Shefi i policisë tha se oficerët ia dolën të pengojnë përpjekjet e të dyshuarin që të vriste persona të tjerë.
Ai tha se hetuesit besojnë se i dyshuari kishte vepruar i vetëm. Ai përdori një pistoletë të kalibrit 45mm me silenciator si dhe karikatorë të modifikuar që mbajnë më shumë plumba.
Në konferencën për shtyp të mbajtur menjëherë pas ngjarjes kryebashkiaku Bobby Dyer tha se “kjo ishte një nga ditët më të rënda në historinë e Virginia Beach. Personat e përfshirë janë miqtë tanë, bashkëpunëtorët, fqinjët, kolegët tanë”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump ishte informuar mbi ngjarjen dhe po monitoronte situatën.
Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam udhëtoi për në Virginia Beach të premten dhe tha se kishte ofruar mbështetjen e plotë të shtetit.
“Kjo është dhunë e paimagjinueshme dhe e pakuptimtë,” tha ai në një deklaratë.
Senatori amerikan i Virxhinias Mark Warner tha të premten se “ndihej i tmerruar nga ajo që kishte ndodhur në Virginia Beach“.
Senatori tjetër i Virxhinias Tim Kaine, shkruante në twitter se “ai është pranë të gjithë atyre që kanë humbur njeriun e dashur gjatë këtij sulmi”. Ai shkruante se po lutet për një shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit.
Këto vrasje ishin më të fundit të një serie incidentesh në rritje në SHBA që përfshijnë të shtëna masive. Në nëntorin e vitit të kaluar një person i armatosur vrau 12 vetë në një bar në Thousand Oaks të Kalifornisë përpara se të vriste veten. Gjatë këtij sulmi u vra edhe një polic.(voa)