Aktualitet Policia e Tiranës: 31-vjeçari që goditi Berishën me precedent penal, vuan nga...

Policia e Tiranës: 31-vjeçari që goditi Berishën me precedent penal, vuan nga çrregullime psikotike

Policia e Tiranës ka reaguar për incidentin në protestën e opozitës, ku u godit me grusht kryetari i Partisë Demokratik,e Sali Berisha.

Policia thotë se autori i dyshuar Gert Shehu u ndalua. 31-vjeçari, sipas Policisë së Tiranës, është person me precedent penal dhe vuan prej vitesh nga çrregullime psikotike.

NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:

Në lidhje me incidentin e ndodhur në orën 12:25, në tubimin e organizuar ditën e sotme, gjatë të cilit shtetasi G. Sh. goditi me grusht, deputetin S. Berisha, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Tiranë po kryejnë veprimet procedurale për shtetasin G. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Nga verifikimet paraprake rezulton se 31-vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminal, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.

Gjithashtu, sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët e tij, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh, për këtë.

Hetimet po vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.