Policia e Shtetit, përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat ka dhënë informacion lidhur me lëvizjen e shtetasve shqiptarë jashtë vendit në kushtet e pandemisë COVID-19.
Policia sqaron se lëvizja së shtetasve shqiptarë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, është e lirë.
Ndërkohë, me Malin e Zi mund të lëvizin vetëm personat që posedojnë një dokument të lëshuar nga laboratorët e akredituar të testimit të COVID-19, jo më shumë se 48 orë më parë, ku vërtetohet se rezultojnë negativ në testin PCR.
Sipas policisë, me Greqinë lejohet kalimi për shtetasit e pajisur me leje qëndrimi dhe ata të pajisur me pasaporta greke, kamionë dhe për rastet të autorizuara nga autoritetet shtetërore greke, ndërsa me vendet e tjera të zonës Schengen nuk lejohet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, përveç rasteve të konfirmuara nga autoritetet e këtyre vendeve.
“Për të udhëtuar drejt Shqipërisë kufiri është i hapur për të gjithë shtetasit e huaj apo shqiptarë, sipas rregullave në fuqi”, thuhet në njoftimin e policisë.