Policia e Shtetit kundërshton raportin e Prokurorisë së Përgjithshme se gjatë vitit 2019 u dyfishua kultivimi i kanabisit.
Gjatë një raportimi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare drejtori i përgjithshëm, Ardi Veliu, tha se kjo ka ardhur si pasojë e shtimit të aksioneve, ndërsa hodhi akuza për lirimin e autorëve.
Pas përplasjes për projektligjin, sipas të cilit policia kërkon të drejtën e përgjimeve, një tjetër u shfaq mes uniformave blu dhe prokurorisë, këtë herë për hashashin. Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Ardi Veliu, kundërshtoi raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për dyfishim kanabisi, duke dhënë shifra se janë arrestuar më shumë autorë, por për ta janë pushuar hetimet e si rrjedhojë janë liruar.
Veliu pranoi se këtë vit tendenca e kultivimit është në rritje.
Sa i takon debatit për legalizmin e kanabisit për qëllime mjekësore, kryepolici tha se kjo është një çështje që i takon ligjvënësve dhe në rast të miratimit, uniformat blu do të zbatojnë ligjin.