Kosova Policia merr në pyetje edukatoret/ E ëma e 3-vjeçarit të dhunuar brutalisht...

Policia merr në pyetje edukatoret/ E ëma e 3-vjeçarit të dhunuar brutalisht në kopsht: E lanë 8 orë pa ngrënë bukë e pa pirë ujë

Policia e Kosovës ka marrë në pyetje tri edukatore të një çerdheje shtetërore në Fushë Kosovë, nën dyshimet për ushtrim të dhunës ndaj një djali 3-vjeçar. Dëshmi në polici ka dhënë edhe prindi i fëmijës.

Një ditë më herët, familjarë të 3-vjeçarit, publikuan në rrjetet sociale, incizime nga kamerat e sigurisë në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ku thanë se shfaqen edukatoret duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës.

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, tha për mediat se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast do të pezullohen nga puna pasi të përfundojnë intervistimin në polici.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar nëna i fëmijës së dhunuar dhe ka shpjeguar ngjarjen. Sipas saj, edukatoret e kanë marrë në telefon për të treguar bëmat që ka bërë fëmija në kopsht dhe kjo e fundit e prekur ka menduar se 3-vjeçari ka rrëzuar ndonjë fëmijë dhe u ka kërkuar falje.

“Mësuesja fitore më tha hajde këtu se djali ytë e ka ba namin. Më erdhi shumë keq sepse mendova që e ka rrëzu dikon ose ka thy ndonjë gjë. I thashë ju kërkojë falje, por tha jo ka dal e ka shkarravitë. Unë i thash kena me ja ble mësueses një çokollatë edhe me i thënë më fal nesër jam lazdru dhe i thashë duhet me i përmbushë dënimet nëse t’i ka dhënë mësuesja, por ky kishte marrë dënime brutale”.

Ajo ka treguar se si djali i ka treguar se gjatë qëndrimit në kopsht nuk ka ngrënë e as nuk ka pirë për 8 orë rresht.

“Më ka thënë djali nuk kam hëngër bukë, nuk kam pi ujë që 8 orë. Fëmija im pa hangër, pa pi. Ka pi ujë i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thash le se të jep mami në shtëpi bukë. Jam detyru m’u ndal i ka hëngër dy hamburger dhe një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali, por nuk jam e sigurt”.

Mësohet se fëmija ka frekuentuar këtë kopsht që nga 1 shtatori.

Sipas familjarëve që kanë publikuar pamjet, 3-vjeçari është rrahur nga dy edukatore, duke pretenduar se në dhunë janë përfshirë edhe pastruesja dhe kuzhinierja e këtij institucioni. Ata thanë po ashtu se fëmija po përjeton “trauma të rënda psikike, nuk mund të flejë më dhe po përjeton ankth të madh”.

Ndërkaq, koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar pas kësaj ngjarjeje.

“Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, tha ky koalicion.

KOMF po ashtu u bëri thirrje institucioneve që të intensifikojnë monitorimin dhe inspektimin e institucioneve parashkollore në Kosovë “në mënyrë që të parandalohen raste të tilla”.

Ky koalicion rikujtoi se sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe legjislacioneve të tjera, është e ndaluar çdo formë e dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë ajo fizike, psikologjike dhe neglizhimi i fëmijëve.